TATA

“Tanimë kampionati nuk varet nga ne”
13 April, 2014 @11:42
Skuadra e Barcelonës ka marrë një goditje të rëndë në luftë për titull në La Liga, pasi që dje pësoi humbje ndaj Granadas me rezultat minimal 1-0.
Në lidhje me këtë, trajneri i Barcelonës, Gerardo Martino, pranoi se tashmë skuadra e tij do ta ketë vështirë të bëhej kampion.
“Tanimë kampionati nuk varet nga ne. Të jesh i zhgënjyer dhe të dorëzohesh janë dy gjëra të ndryshme. Vetëm atëherë kur as matematikisht nuk do të kemi gjasa për ta fituar titullin mund të dorëzohemi. Për ndryshe, deri në çastet e fundit do të vazhdojmë të luftojmë,” tha Martino në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Ai gjithashtu foli edhe për finalen e Kupës së Mbretit, që do të zhvillohet me 16 prill kundër Real Madridit.
“Pas dy humbjeve të njëpasnjëshme futbollistët po mendojnë që kemi humbur shumë gjëra. Të mërkurën do të jetë një finale dhe do të përgatitemi ashtu siç duhej për të fituar,” përfundoi Martino.