SHANI TARASHAJ
Tarashaj i pavendosur për kombëtaren
5 February, 2016 @15:43
Zvicra dhe Shqipëria e kanë filluar një “luftë” të re në mes vete. E shkaktari kryesor i kësaj lufte është sulmuesi që po shkëlqen në kampionatin zviceran, Shani Tarashaj.
Tarashaj është vetëm 20 vjeçar dhe ka një potencial të madh para vetes. Ai gjatë pjesës vjeshtore të këtij stinori ka shënuar 8 gola me skuadrën e tij Grasshopper, duke u bërë njëri prej golashënuesve më të mirë të Superligës së Zvicrës.
Suksesi i tij madje është shpërblyer me çmimin e futbollistit më të mirë të ri për vitin 2015 në Zvicrës, çmim ky të cilin e fitoi vetëm pak ditë pasi nënshkroi kontratë me ekipin nga Premier League, Everton.
Në një intervistë për radio televizionin zviceran, SRF, Tarashaj ndër tjerash foli edhe për çështjen e ekipit kombëtar, të cilën ende nuk e ka të definuar.
Në pyetjen se cilën përfaqësuese do të luaj në të ardhmen, Tarashaj tha:
“Nuk e di. Të shohim, do të vendosi së bashku me familjen pasi ta marr ftesën. Dikur duhet të vendosi, por ky nuk është aspak vendim i lehtë. Deri më tani gjithmonë kam qenë pjesë e të rinjëve të Zvicrës, mirëpo Shqipëria është vendi i prindërve të mi.”
Ai gjithashtu konfirmoi se deri më tani nuk ka ndëgjuar asgjë rreth interesimit të trajnerit aktual të Zvicrës, Vladimir Petkovic, ndryshe nga De Biasi i cili ka bërë disa herë thirrje për të.
Video