ARS-BAY

Tika-taka në Emirates
19 February, 2014 @22:25
Skuadra e Pep Guardiolës, Bayern Munchen, ka nisur me fitore pjesën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Ata kanë arritur të mposhtin Arsenalin në mes të Londrës, në Emirates, me rezultat 2-0.
Mesfushori Toni Kroos me një goditje të bukur i ka dhënë epërsinë Bayernit, derisa në minutat e fundit të ndeshjes Thomas Muller i ka siguruar fitoren ekipit të tij që dominoi gjatë gjithë pjesës së dytë ndaj londinezëve.
I tërë muhabeti për Arsenalin, do të mund të ishte ndryshe po të mos dështonte nga penalltia në minutën e tetë të takimit gjermani Mesut Ozil. Mirëpo, e tëra nuk përfundoi këtu. Më vonë gjatë pjesës së parë Topçinjtë mbetën me 10 veta në fushë pas kartonit të kuq të portierit polak, Wojciech Szczesny, përkundër se më pas David Alaba dështoi nga pika e bardhë për gjermanët.
Dominimi total i Bayernit la Arsenalin me një lojtar mangu të koncentruar në mbrojtje gjatë gjithë 45 minutave të dyta, derisa ekipi i Guardiolës bënte tika-takan.
Ndeshja e kthimit ndërmjet Arsenalit dhe Bayern Munchenit zhvillohet në Allianz Arena të Munchenit dy javë më vonë.