MEDIAT KROATE
Titujt e mediave kroate: “Ndër humbjet më të turpshme evropiane”
5 October, 2023 @20:57
Mediat kroate e kanë quajtur të turpshme humbjen e Dinamos nga Ballkani sonte në Prishtinë. Portali kroat, ndër më të njohurit Index.hr e ka çuar aq lartë këtë humbje që e ka vlerësuar si një ndër humbjet më të turpshme evropiane.
“Ballkani-Dinamo 2-0, Njëra ndër humbjet më të turpshme evropiane të Dinamos” ka shkruar titulli i Indexit pas ndeshjes. Ballkani mposhti Dinamon me lojë të mençur dhe shumë më kërkuese në Prishtinë, 2-0. Almir Kryeziu dhe Walid Hamidi shënuan në fitoren e kampionit të Kosovës ndaj atij të Kroacisë.
Ndërkaq e përditshmja Jutarnji List në njoftimin e ndeshjes ka dalë me titull “Dinamoja dëshpëruese humbi në Prishtinë, Ballkani festoi pas gabimeve katastrofale të të kaltërve”.
Më pas Jutarnji vazhdoi me kritikat për ekipin dhe problemet e brendshme në klub, ndërsa në komentin e fundit të ndeshjes ka shkruar: “Të kaltërit nuk i njihnim në Prishtinë. Edhe pse shumë lojtarë i janë larguar, ky ekip nuk ka asnjë arsyetim për këtë paraqitje katastrofale me të cilën po luhet me renomenë e klubit. Shpresojë që së paku të resetohet ekipi në ndërkohë për të vazhduar garat më tej.”
Ndërsa edhe më rëndë ka shkruar Vecernji List, që në titull ka vendosur “Dinamoja katastrofale përjetoi turpin e madh, në Kosovë u mposht nga anonimët e futbollit”