RUSSIA 2018
Top 5 ‘dëshpërimet’ e Botërorit
Shkruan: Ideal Kurshumlia
16 November, 2017 @11:39
Pasi u konfirmuan të gjitha përfaqësueset që do të marrin pjesë në kampionatin e ardhshëm botëror, i cili mbahet në Rusi, le të shohim cilat janë 5 përfaqësueset që ‘dëshpëruan’, duke mos e arritur kualifikimin në këtë kampionat.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Një ndër befasitë më të mëdha në Rusi 2018 patjetër që do të jetë edhe mungesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I nisën kualifikimet Rusi 2018 me dy humbje radhazi, duke bërë kështu zëvendësimin e trajnerit Jürgen Klinsmann me Bruce Arena, mirëpo në fund amerikanët përfunduan të parafundit në grupin e tyre, dhe vendin e tyre në Play Off e zuri Hondurasi, kombëtare kjo e cila ishte deklasuar nga amerikanët me rezultat 6-0.
Hera e fundit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk u kualifikuan për një kampionat botëror ishte viti 1986, dhe me në krye supertalentin Christian Pulisic, ata do të të tentojnë të rikthehen në botërorin Qatar 2022.
Holanda
Të pakënaqur me progresin gjatë grupeve të kampanjës Rusi 2018, Federata Holandeze zëvendësoi trajnerin Danny Blind me Dick Advocaat, i cili kishte udhëhequar kombëtaren tulipane tri herë më parë, dhe megjithatë Holanda mbeti jashtë Botërorit Rusi 2018, ku gjashtë fitore, një barazim dhe tri humbje nuk ishin të mjaftueshme së paku për një vend në Play Off. Vendin e tyre e zuri Suedia në bazë të goldallimit më të mirë.
Kjo është hera e parë në histori të kombëtarës holandeze që nuk arrin të kualifikohet radhazi në dy kompeticione madhore, duke humbur kështu EURO2016 dhe Botërorin Rusi 2018. Në ndeshjen e fundit kualifikuesee të kombëtares holandeze, lamtumirë kësaj skuadre i tha veterani Arjen Robben , i cili deklaroi penzionimin e tij nga kombëtarja portokalli.
Gana
Të pranishëm në kampionate botërore në tre edicionet e fundit, kombëtarja e Ganës është befasia e kualifikimeve Rusi 2018 nga kontinenti i Afrikës. Me vetëm një fitore, katër barazime dhe një humbje, kombëtarja e njohur si “Yjet e zeza” përfunduan në vendin e tretë pas Egjyptit kryesues dhe Ugandës në grupin E të kualifikimeve për botëror në kontinentin afrikan. Fituesve të katërfishtë të Kupës së Afrikës në këtë dështim iu bashkangjit edhe kombëtarja e Bregut të Fildishtë, nga e cila ishte pritur shumë në këto kualifikime.
Kili
Moskualifikimi i kombëtares e cila është e renditur në top 10-shen e FIFA-s, dhe është fituese e edicioneve të fundit të Copa America dhe Copa America Centenario, sigurisht që përbën një lajm në botën e futbollit. Me lojtarë si Alexis Sanchez, Claudio Bravo e Arturo Vidal, mospjesëmarrja e skuadres kiliane me të vërtetë mund të quhet befasi dhe një humbje e botërorit Rusi 2018. Edhe pse i nisën kualifikimet me dy fitore dhe një barazim, Kili në fund u dorëzua dhe prishi çdo gjë, duke kulmuar me humbjen 3-0 nga Brazili. Pas këtyre kualifikimeve, nga posti i trajnerit dha dorëheqje Juan Antonio Pizzi.
Italia
Befasia më e madhe në këto kualifikime të botërorit Rusi 2018 do të jetë mungesa e skuadrës italiane. Në një grup me superfavoriten Spanjën, Shqipërinë, Maqedoninë, Izraelin dhe Lihtenshtajnin sigurisht që vendi i dytë nuk mund të konsiderohet dështim për Italinë, mirëpo humbja në Play Off nga skandinavët e Suedisë sigurisht që paraqet një goditje të rëndë për futbollin Italian. Kjo do të jetë hera e parë që Italia dështon të kualifikohet për një botëtor që nga viti 1958, i cili për ironi të fatit organizohej pikërisht në tokën suedeze. Pas këtij dështimi, kapiteni dhe legjenda e Italisë Gianluigi Buffon u penzionua nga kombëtarja italiane,. Në rast të kualifikimit të mundshëm të Italisë, Buffon do të bëhej lojtari i parë që do të merrte pjesë për herë të gjashtë në një botëror. Pas tij, dorëheqjen nga kombëtarja e Italisë e deklaruan Andrea Barzagli, Giorgio Chiellini dhe Daniele De Rossi.
Botërori Rusi 2018 njëmend do ta ndjejë mungesën e superyjeve si Arjen Robben e Gianluigi Buffon, por sigurisht shumë yje të tjerë do të zbarkojnë në fushat e blerta për të dhuruar spektakël, e ndoshta edhe një yll tjetër si Zlatan Ibrahimovic mund t’i kthehet si aset shtesë këtij kompeticioni.
Në fund, duke lënë anash dështimet e disa gjigandëve të futbollit botëror, sigurisht që sytë duhet të kthehen edhe nga skuadrat e reja dhe me potencial, të cilat mund të shkaktojnë befasi në çdo moment. Mjafton të hedhim një sy nga EURO2016, ku Islanda dhe Uellsi na mrekulluan me performancat e tyre.