VËLLAZNIMI
Toppmöller takohet me Kusarin, për Vëllaznimin
29 September, 2014 @20:02
Trajneri i njohur gjerman, Klaus Toppmöller, i cili bashkë me një menaxher kosovar kanë shfaqur interesim për investim te klubi gjakovar - janë treguar serioz sa i përket çështjes së blerjes së Vëllaznimit.
Ata sot janë takuar me krerët komunal të Gjakovës dhe kanë diskutuar çështjen.
Nga faqja zyrtare e Vëllaznimit është bërë e ditur se krerët e qytetit janë të hapur ndaj vullnetit të mirë të shprehur nga palët në fjalë dhe ka inkurajuar që të prezentohen më tutje idetë dhe kërkesat për ngritjen e mëtutjeshme të Vëllaznimit.
Mimoza Kusari, kryetarja e Gjakovës, ka informuar gjermanin Toppmöller se Vëllaznimi dhe Stadiumi i Futbollit janë dy entitete të ndara dhe interesimi për investime në rregullim të stadiumit bëhet konform ligjit dhe partneritetit publiko-privat.
E përditshmja Sport Plus ka publikuar sot një lajm ku shkruan se ish trajneri i Bayer Leverkusen dhe ekipeve tjera gjermane, Toppmöller, është i gatshëm të investojë deri në 5 milionë euro në ndërtimin e stadiumit.
Vëllaznimi është rikthyer këtë stinor në Superligë dhe pas shtatë xhirove të zhvilluara gjendet në pozitën e tretë aktualisht.
Në xhiron që vjen, gjakovarët u shkojnë në mysafirllëk kampionit, Llamkos Kosova.