ARLIND AJETI
Torino e mban Ajetin për vete
27 January, 2017 @17:40
Njëri prej futbollistëve më të përfolur shqiptar në afatin kalimtar të janarit, Arlind Ajeti, siç duket nuk do të ndërrojë fare ambient.
Sipas Tuttomercatoweb, Ajeti së paku deri në fund të këtij stinorit do të qëndrojë në skuadrën e tij, Torino.
Qendërmbrojtësi kuqezi gjatë pjesës vjeshtore nuk është aktivizuar fare me Torinon dhe për këtë arsye largimi i tij në janar dukej i pashmangshëm, mirëpo pas ndryshimeve të fundit në klubin torinez, edhe situata me Ajetin ka ndryshuar.
Largimi në janar i qendërmbrojtësit Cesare Bovo në Pescara dhe së fundi lëndimi i brazilainit Leandro Castan, i ka hapur rrugë Ajetit që të jetë njëra prej zgjedhjeve të para të trajnerit serb Sinisa Mihajlovic.
Ajeti më parë kishte kërkuar nga klubi që t’ia mundësojë transferimin e tij diku tjetër, por kërkesa e tij është refuzuar për shkak të kohës së shkurtë për të gjetur zëvendësim për të dhe njëkohësisht edhe janë rritur gjasat për të pasur më shumë minuta në fushë gjatë pjesës pranverore, pas largimeve dhe lëndimeve të bashkëlojtarëve të tij që luajnë në pozitën e qendërmbrojtësit.