KOSTA RIKA
Trajneri historik, mbetet pa punë
25 July, 2014 @9:10
Kolumbiani, Jorge Luis Pinto, që arriti të shkruajë histori në Kampionatin Botëror, Brazili 2014, me përfaqësuesen e Kosta Rikës, duke i dërguar ata në çerekfinale - nuk e ka vazhduar kontratën me këtë skuadër.
Në faqen e tij personale, Pinto, ka bërë të ditur se ka qenë e pamundur marrëveshja me Federatën kostarikane pasi që ata nuk kanë lejuar trajnerin 61 vjeçar që të krijojë stafin e tij në përfaqësuese.
“Kam fjetur me armikun për më se një vjet. Në staf të ekipit ka pasur njerëz që kanë tentuar të bindin kreun e Federatës që të më largojnë para Botërorit,” ka shkruar mes tjerash Pinto, që definitivish nuk ka arritur marrëveshje me Federatën në fjalë, konkretisht, kreun e saj Eduardo Lee.
Tash e tutje, kolumbiani do të jetë i hapur për ofertat e reja, mirëpo pasi që të përfundojë kongresi ndërkombëtar i trajnerëve në Gjermani - ka përfunduar njoftimi në web faqen e tij personale.