EURO U-19
Bytyqi, tre fitore larg titullit europian
24 July, 2014 @19:13
Njëri ndër yjet e reprezentacionit të Austrisë në Kampionatin Europian të të rinjëve për moshat nën 19 vjeçare, Sinan Bytyqi, ka folur për faqen zyrtare të UEFA-së dhe ka thënë se vendi që e përfaqëson është vetëm 3 ndeshje larg titullit europian.
Në ndeshjen e fundit të grupit, që Austria do ta luajë ndaj Portugalisë, ai do të del në fushë përballë shokut të tij më të mirë nga ekipi ku luajnë, Manchester City, portugezin Marcos Lopes. Dyshja Bytyqi-Lopes llogaritet si ardhmëri e kampionit të Anglisë, derisa të dy luajnë te grupmoshat e reja të ekipit.
“Jemi të fokusuar në ndeshjen gjysmëfinale, pasi që e dimë se kjo ndeshje do të jetë e vështirë, pa marrë parasysh ndaj kujt luajmë,” ka thënë ndër të tjera sulmuesi i përfaqësueses austriake në Europianin U-19, që po mbahet në Hungari.
Sinani ka shënuar dy gola në dy ndeshjet e para të Austrisë, ku shënuan fitore ndaj vendasve hungarez dhe Izraelit. Në ndeshjen e fundit ata takohen me Portugalinë dhe të dyja skuadrat kanë siguruar gjysmëfinalen e Europianit.
“Prioriteti ynë është ekipi. Tashmë nuk jemi si më parë - vetjak. Luajmë me taktikë tjetër dhe kemi një skuadër kompakte,” ka thënë Bytyqi që ka treguar se ka marrë mesazhe urimi nga trajneri i të rinjëve të Manchester Cityt, futbollisti i shquar dikur, Patrick Vieira.
Ai ka treguar se ka biseduar edhe me sulmuesin bosnjak të Cityt, Edin Dzeko, derisa pas çdo fitoreje i dërgon mesazh edhe ndihmës trajnerit të Manchesterit.
“Austria nuk është e njohur për futboll dhe askush nuk e ka pritur Austrinë në fazën finale të Europianit. Kur mendohet se Holanda, Franca dhe Italia - nuk kanë arritur në fazën finale, e Austria po, kjo është një gjë madhore për ne. Vetëm paramendojeni, i gjithë vendi është pas nesh, derisa ne jemi vetëm tre ndeshje larg nga titulli europian për të cilin do të japim gjithçka nga vetja,” ka shtuar në fund djaloshi me origjinë kosovare që përfaqëson Austrinë.
Bytyqi ka shënuar nga një gol në çdo ndeshje për Austrinë, të dyja nga penalltia. Austria ka siguruar gjysmëfinalen dhe në ndeshjen e fundit të fazës grupore ndeshet me Portugalinë për të përcaktuar vendin përfundimtar në grup - të parin ose të dytin.