PAOLO TRAMEZZANI
Tramezzani: Italia duhet t’i trembet Shqipërisë
23 March, 2017 @16:06
Ish ndihmësi i Gianni De Biasit, trajneri italian, Paolo Tramezzani, ka folur për mediat italiane në lidhje me ndeshjen ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.
Ai, e ka vlerësuar lartë Shqipërinë, duke thënë se kuqezinjtë do të tentojnë të marrin rezultat pozitiv nga kjo ndeshje.
“Duhet të trembet nga kjo Shqipëri, sepse ka dëshirë për të marrë rezultat pozitiv pas humbjes me Izraelin. Do të shfrytëzojë entuziazmin dhe organizimin që ka. Italia në aspektin individual ka diçka më shumë, por nuk e di a do të mjaftojë,” ka thënë Tramezzani, shkruan Panorama Sport.
Ai gjithashtu përmendi edhe disa nga lojtarët e Shqipërisë, të cilët i cilësoi si pikat më të forta të skuadrës.
“Hysajn e njohim të gjithë dhe e dimë se çfarë është i aftë të bëjë. Strakosha është duke u rritur te Lazio. Basha dhe Memushaj kanë eksperiencë. Edhe sulmuesit Balaj e Sadiku në Kombëtare janë shumë të rrezikshëm. Forca e tyre më e madhe është grupi dhe motivimi për Kombëtaren. Lojtarët janë rritur shumë,” shtoi ai.
Tramezzani aktualisht është kryetrajner i skuadrës zvicerane, Lugano, për të cilën luan edhe sulmuesi kuqezi, Armando Sadiku.