DISCIPLINA
Trepça’89 dhe Drenica, në disciplinore
5 June, 2015 @23:15
Ndeshjet e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, kanë bërë që skuadrat vendase në ndeshjen e dytë të futen në procedurë disciplinore.
Sipas raportit të referit dhe vëzghuesit të ndeshjes, Trepça’89 është futur në disciplinore pasi që pas golit të shënuar në minutën e fundit, ende pa përfunduar ndeshja, një numër i shikuesve vendas kaluan rrethojën dhe ndeshja u ndërpre për 4 minuta.
Në anën tjetër, Drenica është futur në disciplinore pasi që në pushimin 15 minutësh dy persona kanë hyrë në zhveshtore të referëve dhe i kanë kërcënuar ata.
Komesari i Garave të FFK-së, Ismet Ahmeti, gjithashtu ka inicuar procedurë disciplinore ndaj futbollistëve të Besës, Fisnik Papuqi dhe Fetim Kasapi për shkak të fyerjeve ndaj referit, ndërsa ndaj Edmond Turkut të Trepçës’89 për shkak të goditjes me bërryl ndaj lojtarit kundërshtar.
Trepça’89 eliminoi Besën, derisa Ferronikeli Drenicën për të përcaktuar finalistët e Kupës së Kosovës, që zhvillohet më 14 qershor në Prishtinë.