RIZA LUSHTA - MITROVICË
Trepça’89 i kthehet fitores
21 September, 2014 @18:00
Skuadra e udhëhequr nga Rafet Prekazi, Trepça’89, i është kthyer fitores pas tre xhirove.
Mitrovicasit kanë mposhtur sot në Riza Lushta Dritën me rezultat të bindshëm, 3-0. Të gjitha golat e mitrovicasve janë shënuar në pjesë të parë, që është treguar e mjaftueshme për fitoren e parë pas tre xhirove për Xehetarët.
Ylli i ndeshjes ka qenë golashënuesi më i mirë i stinorit të kaluar, Blerand Kurtishaj, që ka shënuar një dhe ka asistuar në golin e fundit të skuadrës së tij në fitoren prej tre golave dallim.
Golin e parë për mitrovicasit e shënoi, Ibrahim Peci, natyrisht nga penalltia - që është bërë njëri ndër penallti shënuesit më të mirë të Superligës.
Në golin e dytë kontribuoi portieri i Dritës, pasi që pas intervenimit të dobët, topi kaloi te Kurtishaj i rrezikshëm, që nuk e pati problem ta shtyej topin në rrjetë të gjilanasve.
E pak pa përfunduar pjesa e parë, Kurtishaj me një krosim gjen Shpëtim Idrizin me përvojë, që shënoi për përfundimtaren e ndeshjes, 3-0.
Gjilanasit as që u munduan seriozisht në pjesë të dytë, pasi që si duket ishin pajtuar me epilogun e takimit që në përfundim të pjesës së parë.
Me këtë fitore, Trepça’89 ka kërcyer nga pozita e tetë në të katërtin, duke mbledhur 9 pikë në total.
REZULTATET, TABELA DHE NDESHJET E RADHËS