FOXES
Dhelprat dërrmojnë Unitedin
21 September, 2014 @16:18
Manchester United është dërrmuar përsëri. Kësaj radhe skuadra e ardhur në Premier League, Leicester City, ka bërë një rikthim të madh në pjesë të dytë duke përmbysur epërsinë 1-3 të Manchester United, në 5-3 përfundimtare.
Në fillim dukej gjithçka e bukur për Louis Van Gaalin dhe milionat e shpenzuara në fushë, mirëpo infuzioni i marrë i Dhelpërave vendase në pushim ka bërë që ata të përmbysin epërsinë dhe të shënojnë fitoren e madhe ndaj Djajve të Kuq.
Jamie Vardy dhe Leonardo Ulloa ka qenë yjet e Leicesterit që i ndihmuan ekipit në fitoren e madhe sot, derisa Manchesteri e përfundoi ndeshjen me një lojtar më pak në fushë pasi që mbrojtësi i ri Tyler Blackett u ndëshkua me të kuqe.
Për t’i shtuar problemet e Manchesterit në vijim, duhet cekur se edhe Jonny Evans u lëndua në minutën e 30-të të ndeshjes, duke u zëvendësuar nga Chirs Smalling.
Adnan Januzaj u fut në 20 minutat e fundit të ndeshjes për të bërë diçka më shumë, por ishte e kotë. Januzaj zëvendësoi Radamel Falcaon, derisa në 15 minutat e fundit, edhe Juan Mata zëvendësoi Angel Di Marian, që ishte yll i pjesës së parë të takimit - kur shkonte gjithçka mirë për Unitedin.
Kjo qe disfata e dytë për Djajt e Kuq, derisa Leciester tashmë me fitore ngritet në pozitën e gjashtë të tabelës.
REZULTATET, TABELA DHE NDESHJET E RADHËS