PORTIERI HISTORIK
“Unë jo, kujtesa ime e mbrojti penalltinë”
30 June, 2014 @15:07
Befasia Kosta Rika ka arritur të tetën e finales duke e mposhtur Greqinë pas penalltive dje.
Portieri i këtij vendi, Keilor Navas, u bë hero në vend pasi që priti penalltinë e sulmuesit me përvojë grek, Theofanis Gekas, që doli të jetë vendimtar në fitoren e ekipit të tij dhe kualifikimit historik në çerekfinale.
Mirëpo, ai ka pranuar se këtu nuk ka pasur kurrëfarë problemi, pasi që për një gjë të tillë i ka ndihmuar kujtesa.
“Kam qenë bashkëlojtar me Gekasin te Levante. Mbrëmë mu kujtua se si i godet ai penalltitë, nga koha derisa kemi stërvitur te Levante. Pasi që ai gjithmonë godistë në vend të njejtë, nuk e kam pasur vështirë t’ia lexojë shutin. Këtë penallti e kam mbrojtur vetëm falë kujtesës sime,” ka thënë Navas, transmetojnë mediat e huaja sot.
Për më tepër, Gekas i cili luan në Superligën turke ka marrë edhe një njoftim nga një lojtar i Akhisar në Turqi para se të shutojë penalltinë.
“Gekas si golashënues është mjeshtër i vërtetë, por penalltinë kurrë s’di ta shënojë. Nuk do ta shikojë portierin dhe do të gjuaj në anë të djathtë të tij,” ka shkruar ish bashkëlojtari i grekut, Cagdas Atan, në Twitter pak para se të shutojë penalltinë Gekas.
Cicërima e lojtarit turk u shpërnda brenda disa sekondave mbi 320 herë në Twitter.
Gekas ka qenë i vetmi që ka dështuar të shënojë nga penalltia në ndeshjen Kosta Rika - Greqia, që ishte e mjaftueshme për kualifikimmin e Kosta Rikës dhe eliminimin e Greqisë nga Botërori “Brazili 2014”.