VAZHDOJNË ME PËRFORCIME
Urim Statovci zyrtarizohet te Prishtina e Re
10 January, 2024 @14:59
Sulmuesi i deritashëm i Fushë Kosovës në Superligë, Urim Statovci është zyrtarizuar dje si lojtar i ri i Prishtinës së Re që garon në Ligën e Parë - Grupi B.
“Kemi kënaqësinë të ju prezantojmë qendër sulmuesin e njohur, Urim Statovci i cili i bashkohet klubit tonë.
Golashënuesi më i spikatur vitet e fundit në Ligën e Parë, e së fundi pjesë e Superligës me Fushë Kosovën, përkundër ofertave zgjodhi të i besoj projektit tonë.
Tani me Urimin kompletojmë repartin e sulmit për këtë afat, ku kemi ndërtuar cilësi e konkurrencë!” — ka shkruar njoftimi i KF Prishtinës së Re.
Statovci është 24 vjeçar dhe luan në pozitën e qendërsulmuesit. Ai ka shënuar katër gola për Fushë Kosovën këtë stinor në Superligë, ku kishte ardhur nga Ulpiana gjatë verës së kaluar.
Kujtojmë, Prishtina e Re këtë stinor po debuton në Ligë të Parë, pasi që në stinorin e kaluar erdhi këtu si Shkëndija e Hajvalisë, me ç‘rast edhe ndërroi emrin e klubit.
Prishtina e Re ditë më parë njoftoi edhe për transferimin e Agustin Daniel Rojas (mesfushor kreativ, nga Argjentina, që erdhi nga Erzeni), Darnell Kithambo (sulmues), Olti Syla (sulmues krahu, ish-lojtar i Flamurtarit, Rilindjes dhe Kosova VR), si dhe Dardan Jasharin (qendërmbrojtës, nga FC Suhareka).
Prishtina e Re ka mbyllur vjeshtën në Ligë të Parë - Grupi B në pozitë të dytë me 30 pikë nga 14 ndeshje, një më pak se liderja Vjosa.