CHAMPIONS
Valencia shpreson!
6 March, 2013 @9:42
Valencia, me golin e shënuar në minutën e fundit nga ndeshja e parë, kërkon mundësinë në Paris, që luan pa Ibrahimovicin.
Goli i Adil Rami-të në minutat shtesë të takimit shpëtoi nga katastrofa Valencian në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve, të zhvilluar në Mestalla.
Paris Saint Germain e mposhti Valencian 2-1 në ndeshjen e parë si mysafir dhe sonte i pret në Parc des Princes me një avantazh mjaft të volitshëm.
Fija e shpresës
Kartoni i kuq i Zlatan Ibrahimovicit në ndeshjen e parë, që e morri në minutën e fundit, si dhe goli i shënuar në minutën e fundit të ndeshjes, kanë kthyer Valencian në lojë. Tash ekipi i udhëhequr nga Ernesto Valverde ka një fije shprese.
Te PSG-ja përveç Ibrës së ndëshkuar mungon edhe organizatori i talentuar italian, Marco Verratti për shkak të lëndimit.
Por, Valencia duhet të shënojë gjithsesi dhe atë jo një, por minimum dy herë pa pranuar gol për të arritur fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve. E këtë t’ia bësh skuadrës së Carlo Ancelottit jo që është e pamundur, por vështirë e realizueshme, me ekipin që e ka.
Valencias pritet t’i mungojnë dy mbrojtës kryesorë, Jeremy Mathieu dhe Victor Ruiz, për shkak të lëndimeve. Te PSG-ja Thiago Silva është i dyshimtë në paraqitje, derisa David Beckham pritet të jetë në bankën rezervë.
CHAMPIONS LEAGUE, SONTE:
20:45, Parc des Princes, Paris | Paris St Germain - Valencia | (2-1) rezultati i ndeshjes së parë | Gjyqtar kryesor: Milorad Mazin (Sërbi) |
KUOTAT E WILLIAM HILL:
1 | Paris St Germain fiton - 1.95 | Barazim - 3.30 | Valencia fiton - 4.00 |
FAKT:
1 | Ndeshja e fundit e Valencias në Parc des Princes është finalja e Ligës së Kampionëve, kur u mposhtën nga Real Madridi, në vitin 2000. |