RAPORTET
Vedat Muriqi do të mungojë mbi 1 muaj!
14 November, 2023 @23:51
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të mund t’i ndihmojë Kosovës në dy ndeshjet e fundit të ciklit kualifikues për EURO 2024. Ai u lëndua për shkak të terrenit të rënduar në “Fadil Vokrri” në ndeshje ndaj Izraelit të dielën, ndërsa pasi që FFK konfirmoi mungesën e tij për këto ndeshje, nga “La Pizarra de Quintana” është bërë e ditur se ai do të mund të kthehet në fusha pas 4 deri në 6 javëve.
Muriqi duket se ka lënduar muskulin e këmbës së majtë të tij, ndërsa nga ndeshja përballë Izraelit kishte dalur detyrimisht, duke mos mundur të shkelte me të majtën e tij. Kapiteni i fundit i Kosovës, 29-vjeçari, është ndër lojtarët më të rëndësishëm të Mallorcës, ndërsa ekipi i tij ka shtyer ndeshje kampionale vetëm e vetëm që ai të jetë pjesë e skuadrës.
REZULTATET, ORARI dhe TABELA AKTUALE
Pas lëndimit të Albion Rrahmanit, Kosovës tash i është lënduar edhe sulmuesi kryesor, Vedat Muriqi. Në anën tjetër, selektori Primoz Gliha ka ftuar për herë të parë Muhamet Hysenin e Llapit për këtë ndeshje, që mund të jetë edhe rast i mirë për të, për të debutuar te kombëtarja kosovare.
Kosova pas fitores ndaj Izraelit më 12 nëntor, do të ndeshet me Zvicrën në Basel më 18 nëntor, para se të mbyll ciklin kualifikues në Prishtinë ndaj Bjellorusisë më 21 nëntor.