FANATIK
Vedat Muriqi është synim i Fatih Terimit
13 June, 2019 @14:09
E përdishtmja sportive turke, Fanatik, ka aguar sot me ballinën ku shihet sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.
Njeriu që shënoi 17 gola dhe 7 asistime në stinorin e fundit për ekipin e tij Rizespor dhe luajti jashtëzakonshëm për Kosovën në kualifikueset e qershorit, duke shënuar edhe gol ndaj Bullgarisë, thuhet të jetë synim i vetëm i Fatih Terimit për sulmin e Galatasarayit.
“Duke ditur se Galatasaray ka në plan shitjen e sulmuesit Diagne për 15 milionë euro dhe ndërprerjen e kontratës së huazimit të grekut Mitroglou, ekipi po kërkon në treg të futbollistëve zgjidhje për sulm. Dhe një sulmues nuk është në llogari, por minimum dy, që mund të shkojë edhe në tre. Por, nga tregu i ekipeve turke, Fatih Terim ka vetëm një synim. Ai është Vedat Muriqi,” ka shkruar gazeta në fjalë.
Gjithashtu, aty bëhet e ditur se nënkryetari i klubit të Galatasarayit ka bërë të ditur se maksimumi që do të ofrojë Galatasaray për transferimin e Muriqit është 3.5 milionë euro për Rizesporin dhe në rastin më të mirë edhe dhënien e një lojtari shtesë si kundërshpërblim përveç të hollave.
Rizespor më parë kishte bërë të ditur se për kosovarin kërkon 10 milionë euro dëmshpërblim. Muriqi ka kontratë edhe një vjet me ekipin nga Deti i Zi.
Përveç Galatasarayit, Muriqi është përfolur si përforcim i mundshëm i Fenerbahçes, Toulouse‘it dhe Real Betisit.