KOLUMNE
Kosova nuk vdes kurrë
Shkruan: LUAN MORINA
11 June, 2019 @20:04
Pasi që nuk jam konsumues dhe rrjedhimisht kurrë nuk kam qenë i dehur apo ‘lartë’, nuk di sa zgjatin këto gjendje shpirtërore. Por mund të ju them që fitorja e parë e Kosovës në kualifikime për Evropiane po zgjatë nja njëzetë orë së paku. Nga frika që mund të vonojë edhe më shumë, është koha të bëjmë analizën e rregullt pas ndeshjes.
Shumica e ekipeve të reja, kombëtareve të reja, marrin kohë deri të adaptohen, të sistemohen si ekip, të fitojmë përvojë njëri me tjetrin. Rrjedhimisht, shumica e tyre rrënohen në momente të rënda psikike dhe humbin ndeshjet në fund. Se sa është rritur Kosova në aspektin psikik, shpirtëror, u pa mbrëmë kur nuk u dorëzuan deri në çastin e fundit të ndeshjes.
Ky mosdorëzim është pompuar në Podgoricë pas një fitoreje të lëshuar nga duart. Kjo nuk ndodhi mbrëmë pasi në momentin kur trysnia mbi Vocën e Halimin nisi të shtohej dhe krahët e sulmit nuk kishin më fuqi të ktheheshin në ndihmë mbrojtjes, maestro Challandes futi Rashkajn për të përforcuar mesfushën për Vocën që pati dy super-ndeshje, Zhegrovën e largoi për heroin përfundimtar Rashanin, e Hadërgjonaj e gjeti ekipin e zemrës duke zëvendësuar me përsosmërinë Vojvodën e lodhur në kthimet mbrapa.
Po luajmë me eufori dhe po fitojmë, por dobësitë janë të dukshme sidomos në dyshen defensive të mesfushës. Është mirë të përdorim treshe me Celinën ose njërin krahë që duhet të sakrifikohen pas një ore loje nëse kemi rezultat pozitiv. Por, guximi i maestros dhe gatishmëria e lojtarëve për të vdekur e mos humbur, po anulojnë çdo logjikë këto dy ndeshje.
Muriçi ka nevojë për më shumë futboll të rregullt, dhe me transferimin e Steffen tek MCI, ndoshta do të huazohet në një ekip ku do të jetë më i rregullt. Aliti e Rrahmani ende janë stabil. Nëse të gjithë të lënduarit tjerë që i kemi gjejnë formën si Kololli, do të duhet të flemë ‘dath’ në vjeshtë! Voca ka qenë i papërshkrueshëm.
Lumët na që e kemi një mesfushë defensive kaq të pasur. Halimi... s’ka fjalë për të! Krejt tru! Celina ka lidhur për merak repartet, Muriqi u rikthye me një super-paraqitje duke u kthyer edhe tek pesëshja e Muriçit. Rashica! Kur talentit i shton disiplinë gjermane gjen njërin nga krahët më të mirë në Evropë! I jashtëzakonshëm ka qenë. E nga Rashica, i cili para dy viteve nuk ishte në ditët më të mira, mund të mësojë shumë Zhegrova!
Rashica është kritikuar së tepërmi në kualifikimet për Botëror. Ka heshtur, ka punuar, dhe ja ku është tani. Zhegrova mund të mësojë shumë, dhe pas dy viteve të kemi një Rashica 2.0. Vetëm se duhet punë, angazhim, dhe mbi të gjitha përulje e respekt ndaj bashkëlojtarëve. Me moshë më madhore vjen edhe pjekuria, por jo medoemos.
Kur jemi tek mosha, ende kemi ekip të përshtatshëm për Olimpiadë, gjersa ne luajmë e bëjmë kërdi me ekipe tjera të para. Këta djelmosha, me këtë ritëm zhvillimi s’kanë të ndalur. Dhe janë ndër të paktit që na bëjnë krenarë që jemi kosovarë, që jemi të këtij vendi. Janë ndër të paktit që na bëjnë të buzëqeshin tërë ditën! Na kënaqën!
Debutimi i Hadërgjonajt ishte fantastik. Më pëlqeu që maestro nuk e futi në krahë të sulmit, por e priti lodhjen e Vojvodas duke rimbushur krahun e djathtë me energji shtesë. Rashkaj e bëri të njëjtën në mesfushë në repartin defensiv, ndërkohë Rashani ishte në çdo pjesë të fushës, sikur me malazezët.
Këta djem, ky trajner, ky ekip nuk është normal!