QEMAIL ELSHANI VENDOS
Vëllaznimi befason Suharekën, ia mohon kreun
11 March, 2024 @15:26
Përkundër se vendasit kërkuan më shumë dhe donin ta rimerrnin lidershipin, nu arritën. Për më tepër, ata u mposhtën në fund! Kështu mund të përshkruhet shkurtë përballja mes Suharekës, që kërkonte kreun e tabelës në Ligë të Parë - Grupi A dhe Vëllaznimit, që luante organizuar dhe kërkonte befasinë.
Në fund, pasi u ndanë disa kartona të verdhë gjatë ndeshjes, ka qenë momenti i mesfushorit me përvojë Qemail Elshani. Ish-lojtari i shumë skuadrave tjera në vite të kaluara, shënoi dhe solli fitoren për Vëllaznimin e Ardian Memës, për përfundimtaren Suhareka - Vëllaznimi 0-1 [Qemail Elshani 83’]. Me një gol, jo të çfarëdoshëm, por supergol.
Me këtë fitore, Vëllaznimi kryen ciklin e dytë të ndeshjeve të Ligë së Parë - Grupi A në pozitë të katërt, pozitë kjo që u krijua sot, falë goldallimit më të mirë të gjakovarëve ndaj skuadrave që kanë pikë të njëjta. E Suhareka nuk arriti ta kalojë Dinamon lidere, që me fitoren e arritur në fundjavë dhe tashmë Bylbyl Sokolin në krye, do t’ia vështirësojë edhe më shumë punën suharekasve të drejtuar nga Arsim Thaçi.
Suhareka përndryshe e nisi pranverën në Ligë të Parë - Grupi A me tre fitore dhe mori kreun në xhiron e kaluar prej Dinamos. Por, me humbjen e sotme të regjistruar nga Vëllaznimi, që ia ndërpreu serinë prej katër fitoresh radhazi, skuadra e Suharekës mbetet në pozitë të dytë.