LIGA E PARË
Vëllaznimi-Flamurtari, regjistrohet me rezultat zyrtar
4 April, 2017 @17:45
Ndeshja më e përfolur e fundjavës në Kosovë, ajo ndërmjet Vëllaznimit dhe Flamurtarit, është regjistruar me rezultat zyrtar.
Komisioni i Garave i Ligës së Parë të Kosovës, ka marr vendim që kjo ndeshje të regjistrohet me rezultat zyrtar 3-0 në të mirë të Flamurtarit.
“Komisioni i Garave, me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF Vëllaznimi – KF Flamurtari, e vlefshme për rrethin e 20-të të Ligës së Parë të Kosovës pas administrimit të gjitha provave konstatoi se ndeshja është ndërprerë në min 90+4 për shkak të hedhjes së gjësendeve gjatë lojës dhe demolimit të rrethojës dhe hyrjes në fushë të shikuesve vendas, duke tentuar për të sulmuar lojtarin mysafir të ndëshkuar me karton të kuq dhe lojtarët e tjerë. Andaj konform nenit 48 dhe 49 paragrafi 1 të Propozicioneve të Garave ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 3-0 në favor të Flamurtarit,” thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Pas vendimit të Komisionit të Garave për ta regjistruar këtë ndeshje me rezultat zyrtar, Flamurtari shkëputet edhe më tej në krye të tabelës, duke i ikur tani Vëllaznimit me 6 pikë dallim.