ZYRTARISHT
Vëllaznimi prezanton trajnerin e ri
16 March, 2016 @13:29
Pasi që u konfirmua dje që Arsim Gojani nuk do të jetë më trajner i Vëllaznimit, sot klubi gjakovar prezantoi trajnerin prizrenas Skënder Shengylin. Lajmi u konfirmua nga faqja zyrtare e klubit në Facebook.
Shengyli, i cili ishte edhe më parë pjesë e Vëllaznimit, deklaroi:
“Për herë të parë që nga periudha e pasluftës jam kontaktuar nga një klub me vizione dhe ambicie të qarta. Gjakova dhe ky klub nuk e meritojnë këtë gjendje dhe me përkushtim, riorganizim e punë, do të tentojmë ta rikthejmë Vëllaznimin aty ku i takon.”
Për emërimin e trajnerit të ri foli edhe nënkryetari Artan Muhaxhiri, i cili tha që alternativa më e mirë e klubit ishte emërimi i strategut prizrenas.
Ndihmësit e Shengylit do të jenë Haxhi Kurhasku dhe Fatos Brahushi, me stërvitjen e parë që do të fillojë sot në ora 13:30.
Për momentin, Vëllaznimi ndodhet në vendin e dhjetë në Ligën e Parë të Kosovës dhe investimet për rikthim në Superligë kanë filluar dukshëm.