DREN GASHI
Vendosi ndeshjen, kërkon falje për karton
4 May, 2016 @20:14
Dren Gashi, sulmuesi i Prishtinës, sot ka shënuar golin vendimtar në fitoren e ekipit të tij.
Ai ka hyrë në ndeshje si zëvendësues ndërsa ka shënuar gol në minutën e fundit të ndeshjes, kurse në fund edhe u skuq pas dy kartonave të verdhë (këtë të fundit për shkak të heqjes së fanellës pas shënimit të golit).
“Ishte lojë shumë e vështirë pasi që të dy ekipet luftojmë për ekzistencë dhe i kishim pikët e barabarta. Ndërsa më në fund ia dola të shënoj dhe t’i sjell ekipit tre pikë. Por, kërkoj edhe falje për kartonin e kuq, pasi që ndjenjat e mia nuk ishin të kontrollueshme në ato çaste gëzimi, duke mos menduar që kisha edhe një karton tjetër të verdhë,” ka thënë Gashi pas fitores së ekipit të tij, shkruan sot faqja zyrtare e Prishtinës.
Gashi përndryshe ka shënuar golin e parë për Prishtinën prej se erdhi nga huazimi prej Gjilani, ku kaloi pjesën e parë të këtij stinori.