SHPEJT, NGA SECILI GRUP
Vetëm edhe 4 vende të lira për kualifikim në TOP-16 të Championsit
29 November, 2023 @23:41
Me duelet e sontme, tashmë kanë mbetur vetëm edhe 4 vende të lira që çojnë në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, ku ekipet nisin prej së tetës së finales.
Bayern, Real Madrid, Manchester City dhe Arsenal - për më tepër pos kualifikimit kanë siguruar edhe vendin e parë në grupet e tyre. Ndërkaq, të kualifikuarit tjerë për në fazën pranverore të Champions League janë edhe: Leipzig, Sociedad, Inter, Atletico Madrid, Lazio, Dortmund, Barcelona dhe PSV.
Nga Grupi A, në kualifikim mund të shpresojnë ende: Copenhagen (5 pikë), Galatasaray (5) dhe Manchester United (4). Në xhiron e fundit, Manchester United pret Bayernin, ndërsa Galatasaray udhëton në Copenhagen. Ekipi i Ten Hagut do të duhet ta mposht Bayernin dhe të lutet për barazim mes Copenhagës dhe Galatasarayit. Këta dy të fundit, do ta duan fitoren dhe kualifikimin.
Në Grupin B, Arsenal dhe PSV kanë siguruar kalimin tutje, derisa xhiroja e fundit do të luhet për prestigj. Lens e Sevilla janë eliminuar nga garat e mëtutjeshme në Ligë të Kampionëve.
Te Grupi C, Napolit të Amir Rrahmanit i duhet edhe një pikë për të siguruar kualifikimin, derisa Real Madridi veçse ka shkuar tutje si fitues grupi. Rreziku për Napolin (7) vjen nga Braga (4), me të cilët ka duelin direkt në xhiron e fundit. Union Berlini është përshëndetur nga Liga e Kampionëve, ndërsa shpreson ende në Europa Ligë. Në xhiron e fundit, Napoli pret Bragën dhe me një pikë do të kalonte në të tetën e finales.
Në Grupin D është mbyllur gjithçka, Sociedad e Inter janë kualifikuar, ndërsa Salzburg dhe Benfica jo.
Grupi E, njëjtë sikurse D-ja, Atletico Madridi dhe Lazioja kanë shkuar tutje, ndërsa Feyenoordi ka siguruar Europa Ligën, me Celticun e eliminuar krejtësisht nga garat evropiane për këtë stinor.
Grupi F, është jashtëzakonisht interesant. Dortmund ka siguruar kalimin tutje. Ndërsa në luftë për pozitën tjetër që dërgon tutje janë PSG (7), Newcastle (5) dhe Milan (5). Në xhiron e fundit luajnë Dortmund-PSG dhe Newcastle - Milan. Parisi është i sigurt se nuk eliminohet nga garat evropiane, pasi që Europa Ligën e ka të siguruar, ndërsa Newcastle e Milan do të bëjnë çmos për tre pikë dhe me shpresa te gjermanët.
Edhe te Grupi G puna ka mbaruar me Manchester Cityn perfekt të kualifikuar si fitues grupi, të cilit iu bashkangjit Leipzig, derisa Young Boys del në Europa Ligë e Crvena Zvezda shkon jashtë garave evropiane.
Barcelona është ekipi që ka siguruar kalimin tutje nga Grupi H dhe atë për karakteristikë për herë të parë prej se është larguar Lionel Messi nga ekipi, ndërsa për biletën e dytë do të luftojnë Porto (9) dhe Shakhtar (9). Antwerpi i Arbnor Mujës është eliminuar nga garat evropiane dhe s’ka fituar as edhe një pikë ende në debutimin e tyre në Ligë të Kampionëve. Xhiroja e fundit, pritet të përcaktojë biletën e fundit nga ky grup, ndërsa takohen: Porto-Shakhtar dhe Antwerp-Barcelona.