ANALIZË
Vetëvrasja e dhisë!
Shkruan: Luan MORINA
29 August, 2020 @10:34
“... edhe, kur kanë kalu armiqtë andej, Skënderbeu ka qenë i fshehur në një kope të dhive, dhe prej atëherë ka bartur kokën e dhisë si helmet…” Kështu mbaronte tregimi i mësuesit në fillore, gjysmë shekull më parë, për të na lënë gati të gjithë 26 nxënësve të mahnitur e të zhytur në imagjinatën tonë.
Ishte ky momenti kur fitonim respektin për këtë kafshë shtëpiake, e cila pos kontributit në historinë e popullit tonë, vazhdon të kontribuoj me bylmet e mish edhe sot.
Respekt nuk do të ketë për një pseudo-dhi, e cila ka vendosur ka vendosur të bëjë vetëvrasje me anë të makinës së faxit!
Lionel Messi po zhvishet nga gjithçka që e kanë veshur me vite të tëra adhuruesit e verbëruar të tij, dhe ky është vetëm fillimi.
Çfarë ka ndodhur këto ditë e dini të gjithë, sidomos nëse jeni pjesë e grupeve banale të futbollit nëpër Facebook!
Vetëvrasja!
Së pari, Messi po të largohet nga Barcelona sepse është i ngopur me dështimet e ekipit, keqmenaxhimin e ekipit, dhe gjithçka tjetër që ka ndodhur këto pesë vitet e fundit që nga treshja e Luis Enriques!
Messi, me rrogën e tij sa një e treta e ekipit, e cila rritej çdo herë që Cristiano Ronaldo nënshkruante kontratë të re, ka pamundësuar ardhjen e lojtarëve që do të paguheshin mirë. Megjithatë, bordi ka çuar deri në 70% të hyrat totale në paga të majme të lojtarëve tjerë, dhe nuk mund të themi që kanë bërë punë të mençur në prurjet e reja. Cili lojtar ka pasur sezon të mirë pas Neymarit? Paulinho!
E dyta, nënshtrimi ndaj Messit ka larguar Eto’on, Ibrahimovicin, e edhe Neymarin nga Barcelona. Egoja e tij superiore, nuk lejon një yll të barabartë në skuadër, i cili nuk i nënshtrohet Messit. Ose duhet të jesh si Suarez, ose mbledh valixhet!
E treta, dhe më e rëndësishmja, Messi ka marrë lëvdatat për sukseset e Barcelonës si ekip. Është konsideruar edhe vet Barcelona, prandaj, në mënyrë banale, do pyesja, pse nuk po e bën ai i vetëm Barcelonën të madhe?
Messi dhe Busquets, kanë një ngjashmëri - asnjëri nuk mund të funksionojë pa Iniestan e Xavin. Messi, thjesht është një Busquets, i cili shënon gola!
Autogoli i parë!
Laporta e Puyol, dy figura kritike ndaj këtij bordi, kanë fajësuar Bartomeun! I pari e ka për poena politikë, i dyti nga inati.
Bartomeu nxori kartën e fundit edhe deklaroi që largohet nëse ai është problemi dhe Messi dëshiron të qëndrojë.
Bartomeu është fituesi në gjithë këtë, dhe duhet të duartrokitet për guximin që ka marrë në shpëtimin e Barcelonës, ani pse s’do ta konsiderojnë kështu.
Për herë të parë në vite, Barcelona ka një trajner që është marrë pa pëlqimin paraprak të Messit!
Në rast se largohet Messi, Bartomeu shpëton 120 milion në vit për Barcelonën, edhe në qoftë se nuk merr asnjë cent nga largimi i Messit! Financiarisht kjo shpëton Barcelonën, dhe ndihmon Koemanin të ndërtojë një ekip në stilin holandez, që luan futboll ekipor, jo të përqendruar tek një njeri.
Në rast se largohet Bartomeu, cilido president që vjen nuk mund të investojë shuma të majme në ekip, marrë parasysh që kontrata e re eventuale e Messit do të jetë edhe më e shtrenjtë! Largimet e Coutinhos e Dembeles, dy barra të mëdha, por jo më të rëndat, nuk e shpëtojnë Barcelonën! Suarez e Messi kanë gati gjysmën e pagave, dhe të dy janë në të 30tat, me maksimum formë të mirë edhe dy vite. Barcelona, marrë parasysh pjesën tjetër të Evropës, mund të harrojë Ligën e Kampionëve për këto dy vite së paku!
Me Messin në ekip, dhe një dështim tjetër pranverën e ardhshme, Bartomeu do të ishte në një verandë duke pirë çaj e ndjerë freskinë e verës bashkë me Valverden, si dy persona që shpëtuan më së lehti nga kjo tollovi!
Messi nuk mundet të qëndrojë në Barcelonë, nëse merren parasysh këto!
Messit nuk po i intereson a mund të fitojë Barcelona më tituj të Ligës së Kampionëve. Ai po do të fitojë ai Ligën e Kampionëve! Në këtë rast, Barcelona për të nuk ka më rëndësi!
Fjalët e hallkit
Kanë qarkulluar zëra që kinse Messi dëshiron të largohet sepse nuk mund të marrë fajin e huaj për gjithçka që ndodh në Barcelonë, sidomos pas largimit të Setien e Abidal. Tashti, nëse largohet edhe Bartomeu, atëherë këto ‘thashetheme’ dalin të jetë të vërteta që Barcelona nuk është mes que un club, por që Messi është mes que Barcelona!
Nëse ka fuqi të ndërrojë edhe kryetarin, atëherë krejt çfarë ka ndodhur këto vite, ka qenë vendim i tij. A duhet të marrë ai barrën edhe për tri turpet e viteve të kaluara në Ligën e Kampionëve?
Apo ndoshta ka faj Manolas, Origi, e Alphonso Davies!
Ata mund të mos kenë dresin e respektin e Messit, por pos që e kanë në xhep Messin, dy nga ta kanë edhe tituj të Ligës së Kampionëve, më shumë se Messi në këto pesë vitet e fundit!
Ikja në Ishull!
Eh, këto do të doja ta shihja – Messin në Manchester City!
Bile, do të shkoja aq larg sa të parashikoja më shumë kartonë të verdhë se sa dygolësha, e lëre më het-trika! Edhe sigurisht, do të kalojë javë të tëra i lënduar, sepse nuk është mësuar të mos ledhatohet dhe ka qenë i mbi-respektuar nga kundërshtarët në Spanjë.
Në Ishull, Messi do të turpërohet!
Ikja në Ishullin tjetër!
Internazionale do të jenë kampion të Italisë sezonin e ardhshëm, nëse nuk shpërthejnë mospajtime ndërmjet kryesisë e Contes. Edhe Conte është ‘i çmendur’. Për pak e lë ekipin dhe merr valixhet, qoftë edhe në finale të Ligës së Kampionëve. Njëjtë ka qenë edhe si lojtar, pos pa flokë!
Por, Messi në Itali rrezikon të mbetet pas Cristiano, ani pse gjasat janë të vogla, dhe kjo do të ishte një goditje e rëndë në egon e tij. Italia, nëse është Cristiano aty, nuk guxon të ndodhë!
Neymar vlla!
Dhe, më e mira, më e bukura, më e lehta, zgjedhje është Parisi!
Aty ka Neymarin, edhe Parisi lehtë i gjen paratë – e ndërron me Di Marian, e kanë hapësirë në paga nga largimi i Cavanit e Thiago Silvas, sa për ët mbuluar mbi gjysmën e shumës që kërkon Messi!
Liga e Francës është e këndshme për Messin, dhe bashkë me Neymarin do të arrijnë 100 gola vetëm në Ligue 1!
Edhe rruga për në Ligën e Kampionëve është më e lehtë, pasi nuk nevojitet angazhim në kampionatin e kombëtar, e edhe ka pushim dimëror, për dallim nga Anglia e Italia!
Të pretendosh që je më i miri i të sotmes, e të bën zgjedhjen më të lehtë nuk është diçka që të bën dhi!
Të lësh ekipin që ka ‘bërë be në ty’, në momentin më të vështirë në 20 vitet e fundit – që nga dominimi i La Corunas e Valencias, nuk është punë e dhive!
Cilado që ndodh, adhuruesit e verbër do ta vazhdojnë ta konsiderojnë ashtu, dhe do të përqeshen nga pasardhësit, me çdo vit që kalon!
E vetmja dhi që do të mbetet nga krejt kjo verë, dhe karrierë e Messit, do të jetë folje, jo mbiemër!