Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LIDERE ME VETËM FITORE!

Vjosa nuk ndalet, qëndron e fortë në krye të tabelës

Vjosa nuk ndalet, qëndron e fortë në krye të tabelës


3 September, 2023 @19:38

Tre ndeshje, tre fitore me radhë. Vjosa e drejtuar nga Leotrim Krasniqi ka marrë krahë tash dhe po ecën mbarë në fillim të stinorit 2023/24 në Ligë të Parë - Grupi B, derisa ekipi me nëntë pikë tashmë është i vetmuar në krye të renditjes tabelare, duke lënë të tjerët pas.

Viktimë e radhës për Vjosën ka qenë Vushtrria, që pas largimit të trajnerit ende nuk është këndellur, derisa shtimjanët me shpejtësi në pjesë të parë kryen punë kur sulmuesi i tyre i dalluar Drin Ymeri u dha epërsinë e më pas edhe Muhamed Llapashtica rehatoi gjithçka për vendasit.

TABELA AKTUALE

Me të nisur pjesa e dytë foli përvoja e Përparim Livorekës, ndërsa ndeshja rodhi pa telashe deri në fund, kur mysafirët shënuan gol të nderit.

Vjosa 3-1 Vushtrria [Drin Ymeri 27’, Muhamed Llapashtica 37’, Përparim Livoreka 49 - Medin Gashi 79’].

Pas tri xhirosh, Vjosa ka nëntë pikë maksimale, dy më shumë sesa ndjekësit kryesorë të saj për momentin 2 Korriku e Ferizaji. Në anën tjetër Vushtrria është në krizë të vërtetë tashmë, 3 ndeshje - 3 humbje, dhe e parafundit në renditje tabelare.

Në xhiron e radhës, Vjosa është mysafire e Kikës, ndërsa Vushtrria pret Vllazninë në derbin e pjesës së poshtme të tabelës.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë