EUROPEAN QUALIFIERS

Xhiroja e fundit e grupeve nis sonte
8 October, 2017 @12:10
Pas ndeshjeve të mbrëmshme që e mbyllën xhiron e parafundit të grupeve kualifikuese drejt Rusisë, sonte zhvillohen 9 takimet e xhiros së fundit nga Grupet C, E dhe F.
Grupi C tashmë është i mbyllur. Gjermania e ka siguruar kualifikimin direkt, ndërsa Irlanda Veriore gjithashtu e ka siguruar vendin e dytë. Takimet që luhen sonte, Gjermani - Azerbejxhan, Norvegji - Irlandë Veriore dhe Republikë Çeke - San Marino, nuk do të sjellin ndryshime sa i përket dy vendeve të para.
GRUPET DREJT BOTËRORIT TË RUSISË
Kur jemi te Grupi E, fitorja e Danimarkës në Podgoricë ditë më parë ka bërë që danezët të jenë shumë afër arritjes së vendit të dytë. Danimarkës i mjafton një barazim në shtëpi ndaj Rumanisë që ta sigurojë vendin e dytë, vend i cili dërgon në fazën play-off, derisa Polonia lidere takohet në shtëpi me Malin e Zi. Për Poloninë, një barazim është i mjaftueshëm për ta siguruar plasmanin direkt në Botëror. Takimi tjetër i grupit zhvillohet mes Kazakistanit dhe Armenisë.
Sa i përket Grupit F, vëmendja e sontme pritet të jetë pikërisht te ky grup. Me Anglinë që e ka siguruar kualifikimin direkt, për vendin e dytë sonte do të luftojnë tri përfaqësuese; Skocia, Sllovakia dhe Sllovenia. Sllovenia dhe Skocia do të kenë përballje direkte në Ljublanë, ndërsa kjo mund t’i shkojë për shtati Sllovakisë, që ka ndeshje relativisht të lehtë ndaj Maltës në shtëpi. Kjo ndeshje bën që Sllovenisë t’i ulen gjasat për arritjen e vendit të dytë, përkundër faktit që matematikisht është ende i mundur. Me shumë gjasë, vendi i dytë sonte do të diskutohet mes Sllovakisë e Skocisë. Sa i përket Anglisë, ‘Tre Luanët’ sonte janë mysafirë të Lituanisë.