I AFROHEN KRYESUESIT
Zeka në formë, Suhareka vazhdon me fitore
25 February, 2024 @23:15
Suhareka ka nisur mbarë pjesën pranverore të stinorit, ndërsa sulmuesi i tyre i ardhur në fillim të stinorit nga SC Gjilani, Mevlan Zeka ka shënuar dygolësh për t’ia siguruar fitoren ekipit të Arsim Thaçit.
Qendërsulmuesi gjakovar, Zeka ka shënuar në pjesë të dytë dy herë, për të siguruar tre pikëshin e radhës për suharekasit dhe për të mbajtur gjallë luftën e tyre drejt Superligës përgjatë edicionit në fitoren: Suhareka 2-0 Rahoveci [Mevlan Zeka 60’, 90’+4].
Në anën tjetër te Rahoveci ka pasur ankesa të mëdha për referim, kurse pas ndeshjes ekipi ka shkruar se do të botojë inçizimet e “dëmeve” të shkaktuar nga referi kryesor i duelit për këtë ndeshje.
Kujtojmë, Zeka edhe në ndeshjen e parë të pranverës shënoi dhe asistoi në fitoren e Suharekës ndaj Trepçës’89 në “Riza Lushta”. E me fitoren e dytë radhazi, tashmë ekipi verdhezi i është afruar në dy pikë lideres së tabelës, Dinamo nga Ferizaji.
Pas xhiros së XVI Suhareka në vend të dytë ka 29 pikë, dy më pak sesa liderja, ndërsa Rahoveci ka pësuar humbjen e katërt sezonale dhe është i shtati në renditje me 20 pikë nga 16 ndeshje.