Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SEMIFINAL: VILLARREAL 2-3 LIVERPOOL

Zëvendësimi i Kloppit vendos, Liverpool superior

Zëvendësimi i Kloppit vendos, Liverpool superior


3 May, 2022 @23:28

Pas 45 minutave lojë, të gjithë u ngulitën para ekraneve, derisa edhe vetë adhuruesit e Villarrealit nuk e besonin ç‘po ndodhte.

Ekipi i tyre i drejtuar nga tekniku Unai Emery ishte pranë befasisë së radhës. Pasi që kishin eliminuar Juventusin në të tetën e finales, Bayernin në çerekfinale, tashmë për 45 minuta kishin barazuar gjithcka karshi Liverpoolit, me 2-0 ku golat i kishin shënuar Boulaye Dia (3’) dhe Francis Coquelin (41’).

El Madrigal në “zjarr” derisa me padurim priteshin 45 minutat e dyta të ndeshjes. E aty strtegu gjerman i Liverpoolit, Jurgen Klopp, veçse kishte përgatitur zëvendësimin!

Kolumbiani i ardhur nga Portoja këtë stinor, Luis Diaz, hynte në lojë në vend të Diogo Jotës së padukshëm në pjesë të parë! Dhe gjithçka ndërroi.

Liverpool mori lojën në dorë, neutralizoi mesfushën e vendasve dhe goditi portën e Villarrealit, falë edhe Geronimo Rullit, që me pak fat do t’i mbronte tentimet e Fabinhos, Luis Diazit para se Sadio Mane të vendoste përfundimtaren, Villarreal 2-3 Liverpool [Dia 3, Coquelin 41 - Fabinho 62, Diaz 67, Mane 74].

Liverpool kështu arriti finalen e tretë të Ligës së Kampionëve në pesë vitet e fundit. Më 28 maj Liverpool pret në finale fituesin e ciftit Real Madrid - Manchester City (që vendoset të mërkurën mbrëma, 4 maj) në Stade de France të Parisit.

Edhe një fakt, asnjë ekip anglez asnjëherë nuk ka fituar katërshen: Liga e Kampionëve, Premier Liga, FA Cup dhe League Cup - të gjitha brenda një stinori. Liverpool këtë të fundit e ka fituar edhe është shumë afër tre të tjerave.

Përndryshe, Villarreal i Emeryt ka nxjerrë më të mirën e mundshme nga lojtarët këtë stinor duke arritur në katërshen më të mirë të Evropës këtë stinor, ndërsa vetë eliminimi i skuadrave si Juventus e Bayern në rrugë për të ardhur deri në gjysmëfinale të garës, është histori në vete.

Lojtari më i mirë i ndeshjes, në fund u shpall Luis Diaz, njeriu që hyri në pjesë të dytë dhe ndërroi rrjedhën e lojës.


 
Të gjitha lajmet nga Champions League