DALIN NGA ZONA E RREZIKSHME!
15-minutat e fundit, Evertoni thyen bindshëm Newcastle-in
7 December, 2023 @22:36
Evertoni ka arritur edhe një fitore të rëndësishme në Premier Ligë pas dënimit me heqje prej 10 pikësh nga Komisioni i PL. Pas triumfit jashtë ndaj Nottingham Forestit, Everton i drejtuar ng Sean Dyche ka arritur të mposht edhe favoritin e sontëm, Newcastle United, duke i mposhtur ata, 3-0.
Me arritjen e golit të parë McNeil (79’), Everton mori hovin e nevojshëm ndërsa Newcastle i Eddie Howe-it ra nga loja. E pas kësaj ka qenë edhe Doucoure (86’) me Beton (90’+6) që kanë shënuar për triumfin e madh të të kaltërve nga qyteti i Liverpoolit. Dy golat e para të Evertonit erdhën nga gabimet e çuditshme nga njëri prej më të mirëve të mysafirëve, Kieran Trippier.
Fitorja, bën që Everton të arrijë në 10 pikë dhe të dalë nga zona e rrezikshme, ku u fut pas minusimit të pikëve! Toffies tashmë pas 15 ndeshjeve kanë zyrtarisht 10 pikë, ndërsa kanë thënë se kanë deponuar ankesën në PL për rikthimin e pikëve, pasi që kanë konsideruar vendimin e padrejtë.
Newcastle në anën tjetër, që pretendon të arrijë përsëri TOP 4-shen e Premier Ligës, ka marrë edhe një goditje jashtë fushës së vet, duke regjistruar humbjen e dytë radhazi në PL në udhëtim. Aktualisht “laraskat” janë në vend të shtatë, me 26 pikë nga 15 ndeshje, 4 më pak sesa kampioni aktual Manchester City, që është i katërti.