HAJVALIA
2 kroatë e 1 brazilian te Hajvalia
25 March, 2015 @10:20
Skuadrat kosovar stinorin e ardhshëm mund të konkurrojnë për në gara europiane, sipas ngjarjeve që po ecin dhe në prag të pranimit të FFK-së në UEFA.
Këtë e din shumë mirë edhe trajneri i Hajvalisë, Ismet Munishi, që u shpall kampion në Superligë stinorin e kaluar me Kosovën e Vushtrrisë.
Në një prononcim lidhur me temën e daljes së ekipeve kosovare për në arenë ndërkombëtare për të përditshmen Kosova Sot, Munishi ka bërë të ditur se Hajvalisë tashmë i janë ofruar dy kroatë dhe një brazilian si përforcime për stinorin tjetër.
“Nga kontaktet e mëhershme që kam me klube të ndryshme europiane, kam fituar mundësinë që të kem kontakte edhe me lojtarë. Tash për tash na janë ofruar dy kroatë dhe një brazilian, ndërsa ne po mendojmë t’i angazhojmë ata për edicionin e ri,” është cituar të ketë thënë Munishi për gazetën në fjalë.
Natyrisht ai ka bërë të ditur se duhet një organizim i madh gjithëpërfshirës për arenën ndërkombëtare, derisa ka cekur se nuk duhet pritur pranimin për t’ia nisur punës.
Ndër të tjera, Munishi ka bërë të ditur për gazetën se Hajvalia do të shikojë mundësinë për të luajtur ndeshje ndërkombëtare pas përfundimit të stinorit me ekipe zvicerane, derisa tash për tash ka të sigurtë përballjen me Luzernin.
Hajvalia është skuadra që po garon për krye të tabelës së Superligës dhe aktualisht është në formë të mirë, pasi që ka shënuar fitore në dy ndeshjet e fundit të Superligës, duke qenë në vend të tretë të klasifikimit me 5 pikë më pak se lideri Ferronikeli.