KOMISARI I GARAVE
Drenica dhe Ferizaji, në procedurë disciplinore
24 March, 2015 @15:44
Federata e Futbollit të Kosovës ka nisur procedurë disciplinore ndaj Drenicës dhe Ferizajit, ka njofutar Komisari i Garave në publikimin e fundit në faqen zyrtare të FFK-së sot.
“Inicohet procedurë disciplinore ndaj Drenicës për shkak të lëshimeve në organizimin e ndeshjes gjatë dhe pas përfundimit të saj, ku sulmohet lojtari mysafir, Fisnik Papuqi nga ana e shikuesve në ndeshjen Drenica-Besa,” ka shkruar në pikën e parë të kumtesës së sonte FFK-ja.
Sa i përket Ferizajit, procedura disciplinore ndaj këtij ekipi është nisur për shkak të kërcënimit ndaj referëve të ndeshjes, para dhe pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes Ferizaj-Prishtina.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese deri në tre ditë pas pranimit të vendimit, në Organin e shkallës së dytë.
Drenica kishte mposhtur Besën 3-0 në këtë ndeshje, derisa Ferizaj u mposht nga Prishtina 0-1.