REPREZENTACIONI
Sonte ndaj Eintrachtit
24 March, 2015 @8:41
Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë miqësoren e parë për këtë vit sot, ndaj Eintracht Frankfurtit në Frankfurt të Gjermanisë.
Ekipi i drejtuar nga Albert Bunjaku, është mbledhur dje në qytetin gjerman në fjalë dhe në mbrëmje ka zhvilluar stërvitjet e para dhe të plota para përballjes së sotme.
Eintracht Frankfurtit pritet t’i mungojnë disa nga lojtarët më të mirë, të cilët janë pjesë e kombëtareve të ndryshme botërore (Makoto Hasebe, Takashi Inui, Marc Stendera, Timothy Chandler, Haris Seferovic, Emil Balayev dhe disa tjerë), mirëpo përballja pritet të jetë interesasnte.
Kosova debutoi në arenën ndërkombëtare pas marrjes së lejes nga FIFA për miqësore, më 5 mars të vitit të kaluar, kur kishte barazuar 0-0 me Haitin në ndeshjen historike.
Që nga ajo kohë përfaqësuesja kosovare ka zhvilluar edhe 4 miqësore tjera, duke u mposhtur nga Turqia në Mitrovicë dhe nga Senegali në Zvicër.
Më 7 shtator të vitit të kaluar Kosova regjistroi fitoren e parë duke e mposhtur Omanin 1-0 në Stadiumin e Prishtinës dhe pas saj mposhti edhe ekipin e ligës së dytë zvicerane Wil, gjithashtu 1-0.