LIRIA - GJILANI
5 gola, përjashtim e penallti e shpërdoruar, Liria fiton
28 April, 2018 @17:59
Pas 90 minutave me 5 gola të shënuara, 1 penallti të shpërdoruar, 1 lojtar të përjashtuar e me plot raste për shënim, fitores iu gëzua Liria, e cila në shtëpi arriti ta fitojë duelin ndaj Gjilanit.
Elton Basriu shënoi për epërsinë e vendasve në fillim të takimit, ndërsa për 1-1 shënoi Ylber Kastrati i mysafirëve në minutën e 36’. Pak para golit të Kastratit, Haxhimusa i mysafirëve e shpërdoroi një penallti, pasi që gjuajtja e tij nga pika e bardhë përfundoi në shtyllë.
Kur u mendua se skuadrat do të shkonin në pushim me rezultat të ekuilibruar, për 2-1 shënoi Artur Magani, për ta dërguar skuadrën vendase në pushim me epërsi.
Në pjesën e dytë, vendasit e shënuan për 3-1 përmes Artur Maganit, golashënuesit më të mirë të skuadrës, mirëpo gjilanasit nuk u dorëzuan dhe e ngushtuan rezultatin në 3-2 përmes Betim Haxhimusës, i cili shënoi me kokë.
Gjërat për Lirinë u vështirësuan edhe më tepër kur Domgjonaj u përjashtua nga loja në minutën e 80’, mirëpo përkundër trysnisë së mysafirëve, vendasit u mbajtën mirë dhe ndeshja u mbyll me rezultatin final 3-2.
Fitorja e sotme bën që Liria të ngjitet në vendin e tretë, kurse Gjilani mbetet në kuotën e 43 pikëve.