KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: G.P
23 April, 2021 @18:00
Java që po e kalojmë do të mbahet mend gjatë për atë që ndodhi sa i përket Superligës Evropiane të futbollit. Që nga e diela mbrëma e deri të mërkurën, shumë gjëra ndodhen, por për fat të mirë, fundi i asaj drame ishte i mirë për ata që njëmend e duan futbollin.
Kishte ndeshje edhe në mesjavë, por nuk morën vëmendjen e zakonshme, pikërisht për shkak të ngjarjeve në lidhje me Superligën Evropiane.
E tash, kjo fundjavë sjell plot ndeshje interesante anembanë Evropës.
1. Wolfsburg - Dortmund (e shtunë, 15:30)
Katër xhiro para fundit, Dortmundi e sheh veten 4 pikë larg vendit të katërt, që dërgon në Champions League. E këtë të shtunë, Dortmundi ka punë me Wolfsburgun e vendit të tretë, që po kalon formë tejet të mirë sivjet dhe në xhirot e mbetura do ta kërkojë ta mbyllë sezonin të paktën në vendin e katërt, për të shkuar në Champions League sezonin tjetër.
Si zakonisht në Bundesligë e veçanërisht kur luan Dortmundi, edhe kjo ndeshje pritet të jetë e hapur dhe me plot gola. Nëse Wolfsburgut i konvenon edhe barazimi, Dortmundit nuk i konvenon pothuajse aspak, prandaj detyrimisht do ta kërkojë fitoren. Wolfsbrgu këtë sezon ka shënuar më shumë gola se Leipzigu i vendit të dytë, kurse Dortmundi rregullisht pranon gola. Duhet të jetë një ndeshje e mirë.
2. West Ham - Chelsea (e shtunë, 18:30)
I katërti me të pesti, në duel direkt për një vend që dërgon në Champions League. Chelsea në mesjavë lëshoi dy pikë në shtëpi me Brightonin, kurse West Hami vjen në këtë takim nga humbja ndaj Newcastlet në Tyneside, pas të cilave rezultate West Hami e Chelsea kanë pikë të barabarta.
Të gjitha rezultatet janë më se të mundshme në këtë takim, ndërkohë që të dyja këto skuadra në xhirot e mbetura duhet të kenë kujdes nga Tottenhami e Liverpooli, që ndodhen shumë pranë dhe gjithashtu po luftojnë për pozita që dërgojnë në Champions.
3. Leeds - Manchester United (e diel, 15:00)
Ndeshja e parë në “Old Trafford” kishte përfunduar 6-2 për Manchesterin, për të vetmen arsye që Bielsa insistonte ta luante lojën e tij me sistem man-marking & partlial libero. E çdo herë që kundërshtari luan sistem të tillë apo ka posedim të madh të topit, dënohet nga United me kundërsulme të shpejta.
Janë të rralla ndeshjet kur Leedsi nuk luan kështu (kishte luajtur ndryshe në udhëtim te Burnley), dhe me shumë gjasë do të luajë përsëri njëjtë edhe të dielën ndaj Unitedit, dhe përsëri mund të dënohet.
Megjithatë, duke e ditur edhe mbrojtjen e Unitedit, që është bamirëse për të gjithë, ndeshja me shumë gjasë do të na dhurojë shumë gola dhe do të jetë e shikueshme.
4. Villarreal - Barcelona (e diel, 16:15)
Rreth 6-7 ndeshje para fundit të kampionatit në Spanjë dhe 3 skuadra janë fuqishëm në garë për titull. Këtë fundjavë, Barcelona në formë tejet të mirë ka punë me Villarrealin, që sivjet po bën më mirë në Evropë sesa në ligë, tipike për një trajner si Unai Emery.
Pa angazhime në Evropë, Barcelona do të tentojë t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura në ligë, për të luftuar kështu deri në fund për titull. Nëse Messi luan siç luajti mbrëmë ndaj Getafes, vështirë se do të shpëtojë Villarreali të dielën.
Në anën tjetër, duke qenë në gjysmëfinale të Europa Leagues, Villarreal me një triumf të mundshëm në atë garë, do ta siguronte një vend në Champions vitin tjetër, kurse nga liga më së shumti që mund ta arrijë është një vend në Europa League vitin tjetër, pasi që vendi i katërt është shumë larg.
Kujtojmë që pikërisht në prillin e para dy viteve, këto skuadra na kishin dhuruar një 8 golësh, 4-4 pas 90 minutave, ndërkohë që edhe ndeshjet tjera në përgjithësi mes këtyre dy skuadrave kanë qenë të mira. Do të jetë edhe kjo.
5. Manchester City - Tottenham (e diel, 17:30)
Pas eliminimit nga FA Cup, City do të tentojë ta fitojë “tripletën fallco”. Trofeun e parë mund ta fitojë këtë të dielë ndaj Tottenhamit në finalen e Kupës së Ligës, e më pas do ta vazhdojë luftën në Premier League e Champions League.
Pak ditë para finales, Tottenhami nga radhët e veta e shkarkoi Jose Mourinhon, një shkarkim që na zuri në befasi, ndoshta pse ishim duke u marrë me Superligën e Evropës. Jo pse Mourinho nuk do të shkarkohej, sepse ishte vetëm çështje kohe, por nuk pritëm që do të shkarkohej pak ditë para finales së Kupës.
E këtë finale Tottenhami e nis i drejtuar nga Ryan Mason, që mund t’ia sjellë Tottenhamit trofeun e parë që nga viti 2008. Atë vit Tottenhami e fitoi pikërisht këtë trofe, Kupën e Ligës. Por, ndaj Cityt, që këtë sezon ka pasur shumë fat me lëndime, do të jetë shumë vështirë. Sidomos nëse mungon edhe Harry Kane, paraqitja e të cilit është në dyshim.