KOLUMNE

5 për fundjavë: rikthimi i Ronaldos + tjera
Shkruan: G.P
10 September, 2021 @13:00
Pas pushimit të kombëtareve, rikthehet futbolli i klubeve.
Ndeshje të mira ka plot, e ne i kemi zgjedhur 5 që nuk duhen humbur.
1. Manchester United - Newcastle (e shtunë, 16:00)
Kjo ndeshje nuk do të ishte në mesin e pesë më të mirave të javës po të mos ishte për Cristiano Ronaldon. Ridebutimi i Ronaldos në “Old Trafford”, nga banka rezervë apo si startues, do të ndodhë këtë të shtunë ndaj Newcastlet. Rekord i fanellave të shitura, rekord i pëlqimeve në rrjetet sociale dhe rritje e presionit te United për ta fituar ligën - të gjitha këto erdhën pas nënshkrimit me Ronaldon.
Hat-trickun e tij të vetëm me fanellën e United, Ronaldo e ka pikërisht ndaj Newcastlet, ndaj të cilit me shumë gjasë do ta bëjë ridebutimin e tij te 20-herë kampioni i Anglisë.
Në të njëjtën kohë në Premier League luhet edhe ndeshja Leicester vs. Manchester City, që gjithashtu është një ndeshje mjaft e mirë, por që do të marrë më pak vëmendje faji i Ronaldos.
2. Napoli - Juventus (e shtunë, 18:00)
Pa fitore në dy xhirot e para, Juventusi në xhiron e tretë në Serie A nuk ka aspak punë të lehtë. I shkon Napolit, në stadiumin ku është mposhtur në tri vizitat e fundit.
Pa Chiesan e lënduar, Juventusi ka një problem më tepër në sulm, e Napoli në anën tjetër do të jetë pa Zielinskin e Mertensin.
Do të jetë një ndeshje interesante që vë përballë dy strategë të mirënjohur, Spalletin e Allegrin, dhe në përgjithësi do të jetë një sezon interesant për të dyja skuadrat.
3. RB Leipzig - Bayern München (e shtunë, 18:30)
Nuk ndodhë shpesh, e ndoshta kurrë, që kampioni brenda një vere t’ia merr vendit të dytë të ligës tre prej anëtarëve më të rëndësishëm të klubit. Këtë verë, Bayerni ia mori Leipzigut trajnerin Nagelsmann, qendërmbrojtësin kryesor Upamecanon dhe së fundi mesfushorin Marcel Sabitzer.
Pa ia mohuar forcën e sukseset, pasi që e ka treguar veten në Evropë, po brenda Gjermanisë, të njëjtën gjë Bayerni e ka bërë gjithmonë, personalisht duke kujtuar që nga koha e marrjes së Lucios, Ze Robertos e Ballackut nga Leverkuseni, Kloses nga Werderi, Mario Gomezit nga Stuttgarti e shumë tjerëve nga Dortmundi. Kjo mund të arsyetohet në forma të ndryshme, por për shkak të transferimeve të tilla elitës gjermane i ka rënë gjithnjë më shumë niveli dhe kjo është e qartë.
Të shtunën Leipzigu e Bayerni mund të dhurojnë një ndeshje të mirë, siç kanë bërë shpesh-herë. Do të jetë interesant ta shohim se si do t’i zëvendësojë largimet Leipzigu dhe a do të mund ta ruajë nivelin e sezonit të kaluar.
4. Leeds - Liverpool (e diel, 17:30)
Ndeshja e vetme e ditës së diel në Premier League. Dy skuadra që luajnë me intensitet të lartë dhe që bëjnë shumë presion. Vitin e kaluar, të dyja ndeshjet mes këtyre dy skuadrave ishin tejet të mira për t’u shikuar dhe besoj që do të jetë edhe kjo.
Vendimi i Federatës së Brazilit që brazilianët e disa ekipeve të Anglisë të mos luajnë për 5 ditë, i ka dëmtuar këto dy skuadra, e ndoshta më së shumti në ligë e ka dëmtuar Liverpoolin. Alisson, Fabinho e Firmino do t’i mungojnë Liverpoolit ndaj Leedsit për shkak të këtij vendimi, e te Leedsi do të mungojë Raphinha, një lojtar që po shkëlqen këtë sezon.
Do të jetë një ndeshje definitivisht e hapur dhe ndoshta edhe më shumë gola.
5. Milan - Lazio (e diel, 18:00)
Si shumë herë, edhe këtë vit sezoni i Milanit ka filluar mjaft mirë, dy fitore në dy takimet e para deri më tash.
Këtë fundjavë, kuqezinjtë përballen me Lazion e Sarrit, që në dy ndeshjet e para ka 2 fitore me 9 gola të shënuara dhe ka skuadër për ta mbyllur sezonin në top-katër, ndoshta edhe për më shumë.
Giroud nuk do të luajë ndaj Lazios këtë fundjavë, një mungesë për t’u përmendur te Milani, që e ka edhe Zlatanin në dyshim për momentin, kurse te Lazio në dyshim është paraqitja e Immobiles, që mund të jetë lajm i mirë për Vedat Muriqin, i ciili mund të startojë.
Duhet të jetë një ndeshje e fortë dhe të trija rezultatet janë plotësisht të mundshme.