KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: Luan MORINA
3 March, 2017 @20:44
1. Roma – Napoli (e shtunë, ora 3)
Pa mungesa dhe në formë të mirë, të dyja ekipet duhet të ofrojnë maksimumin para javës vendimtare në Evropë. Përparimi që kanë shënuar të dyja ekipet këtë vit, si ekipe në veti, jo në hap ndaj Juventusit, është për tu ndjekur nga ekipet tjera që i ndjekin, sidomos ato të Milanos. Sidoqoftë, të dyja ekipet duhet të jenë të kujdesshme për të mos gabuar, sidomos napolitanët të cilët mund të rrezikojnë Ligën e Kampionëve.
2. Dortmund – Leverkusen (e shtunë, ora 3e30)
Thomas Teuchel e Roger Schmidt janë përmendur si pasardhës të Wenger – si krejt dynjaja, mirëpo asnjëri nuk janë të denjë për Arsenal. Teuchel po dështon të gjej sukses të vazhdueshëm me Dortmundin përkundër një vere të bujshme, ngjashëm edhe Schmidt nuk po arrin të vendos më të mirët ndonëse ka një ekip që s’do të duhej të ishte kaq poshtë në renditje. Të dyja me mendjen në Evropë, mund të mos angazhohen aq shumë në këtë ndeshje që do të duhej të ishte derbi i kësaj jave në Bundesligë.
3. Liverpool – Arsenal (e shtunë, ora 6e30)
Nëse do të vënit bast se cili trajner do të mbetej pa punë më herët, cilin do të merrni, Kloppin a Wengerin? Ashiqare Klopp mund të largohet në çdo moment, derisa Wenger e ka të gozhduar emrin e tij në stolin e Arsenalit. Dhe krejt e kundërta duhet të ndodh. Klopp ka talent, mirëpo edhe dëshiron të bëj mrekulli nga lloji i Lucas Leivas për të fituar titullin. Gjumi në janar nuk i ndihmon hiq, por me gjumë të këtillë kalon Wengeri çdo dimër e verë. Mund të shohim një ndeshje të bukur futbolli, me faktin që të dyja vetëm se janë jashtë Evropës.
4. Atletico – Valencia (e diel, ora 4e15)
Lajm i mirë që Fernando Torres është shëndoshë e mirë në spital. Incidenti i tij dukej të ishte bizar dhe fatkeqësisht shumë e më shumë incidente po shfaqen nëpër terrene së fundmi, përkundër faktit se ndoshta do të duhej të shkonim në kah të kundërt. Në kah të kundërt po shkojnë të dy këto ekipe që para një kohe ishin të vetmet që rrezikonin titullin dyshes spanjolle. Derisa Atletico po provon të mbahet në krye, Valencia është ngujuar në pjesën e poshtme falë politikave të dobëta menaxhuese. Fitorja kundër Realit dëshmon se kanë ekip të denjë për të qenë më lartë se ku janë.
5. Orlando City – New York City FC (e diel, ora 11 mbrëmje)
Zakonisht, kur shkruajmë për MLS përqendrohemi tek yjet si Leite Kaka, David Villa, e Andrea Pirlo (i mbivlerësuar në maksimum edhe gjatë karrierës së tij të rregullt). Por, dy emra që duhet t’i mbani në mend nëse shihni këtë ndeshje janë Cyle Larin i Orlandos dhe Jack Harrison i New York City FC. Që të dy kanë pasur një sezon të shkëlqyeshëm vitin e kaluar, e presim që të shpërthejnë këtë sezon për ti dërguar këto dy ekipe thellë në playoffs.
Ndërkohë, MLS është e mbushur me talente të këtilla, dhe ato të importuara. Atmosfera në tribuna është e bukur, derisa janë liga e tetë për kah shikueshmëria në stadiume. Mos të harrojmë edhe Shkëlzen Gashin që e kemi tek Colorado Rapids, gjysmëfinalistët e vitit të kaluar.