FOOT
5 risitë e Botërorit
18 June, 2014 @14:47
Në vlugun e ndeshjeve të Kampionatit Botëror Brazili 2014, kur ka filluar xhiroja e dytë e fazës grupore, po ju sjellim në pesë pika risitë që i solli Brazili 2014.
1. Teknologjia e golit - Për herë të parë kemi parë se në Kampionat Botëror po përdoret teknologjia që tregon në saktësi se a e ka kaluar topi vijën fatale të golit, apo jo, për të hequr dilemën, e shumë Kampionateve të mëparshme, kur ka pasur ankesa dhe golat kanë shkuar dëm, ose e kundërta. Rëndësia e kësaj u vërtetua në ndeshjen Franca-Hondurasi.
2. Spreji - Referët dhe shutuesit e gjuajtjeve të lira tani më nuk do të kenë problemin e afrimit të murit të gjallë kah topi. Spreji që zhduket brenda minutit, po shihet se është ide e mirë kreative që po i ndihmon goditjeve të tilla.
3. Rekordi i keq i Marcelos - Mbrojtësi i majtë brazilian, Marcelo, do të mbahet në mend si lojtari i parë brazilian që ka shënuar autogol në Kampionate Botërore, pas asaj që e shënoi ndaj Kroacisë në ndeshjen hapëse të Botërorit. Brazili si ekip i vetëm që ka marrë pjesë në çdo Kampionat Botëror asnjherë më parë nuk ka pas të regjistruar një autogol!
4. Bosnja - Njëra ndër kombet që me gjak fitoi pavarësinë nga shkatërrimi i Jugosllavisë, ka debutuar në Kampionat Botëror në stadiumin më të famshëm të botës, Maracana të Rio De Janeiros ndaj Argjentinës. Zëvendësuesi Vedad Ibisevic ka shënuar golin e parë në histori të këtij vendi në Kampionat Botëror në minutën e 85-të ndaj Argjentinës, pasi që kishin shënuar autgolin më të shpejtë në histori të Botërorëve.
5. Dempsey shkruan historinë amerikane - Lojtari ofanziv i SHBA-së, Clint Dempsey, që ka bërë emër në Premier League të Anglisë, bëhet amerikani i parë që ka shënuar së paku një gol në tre Kampionate të Botës me radhë, kur shënoi golin e SHBA-së në sekondën e 30-të ndaj Ganës. Ai ka shënuar ndaj Ganës edhe në Gjermania 2006, si dhe ndaj Anglisë në Afrika Jugore 2010.