YLLI I NDESHJES
Portieri pa kontratë, Ochoa
18 June, 2014 @11:06
Njeriu që shpëtoi vendin e tij në përballje me Brazilin. Hero i ndeshjes - Guillermo Ochoa. Portieri meksikan i mbetur pa kontratë, pasi që Ajaccio në Ligue 2, nuk e vazhdoi kontratën me meksikanin, është bërë yll i ndeshjes së mbrëmshme ku Brazili barazoi me Meksikon 0-0.
Ochoa ka bërë disa intervenime të jashtëzakonshme për të shpëtuar vendin e tij nga goli, derisa Meksikoja fitoi pikën e katërt në Grupin A dhe tashmë është bashkë me Brazilin në krye të tabelës.
E portieri pa ekip, që u zgjodh lojtari i ndeshjes mbrëmë nga FIFA, ka thënë:
“Ka qenë ndeshje e vështirë, posaçërisht të luash kundër Brazilit si mysafir. Kur e dëgjuam përkrahjen e publikut, e dinim se duhet të mundohemi dyfish më shumë për të arritur ndonjë rezultat. Mendoj se ka qenë paraqitja më e mirë e imja në jetë, duke ditur se edhe ekipi ka pasur një paraqitje fantastike defanzive,” ka thënë për mediat pas ndeshjes Ochoa, që tashmë besohet të ngjallë kureshtjen e ekipeve të ndryshme.
Meksikoja ndeshjen e fundit në Grupin A të Kampionatit Botëror e zhvillon ndaj Kroacisë - ku pritet të përcaktohet shumëçka për dalje në të tetën e finales.
Ochoa 28 vjeçar është paraqitur për Meksikon në tre kampionatet e fundit Botërore, Gjermania 2006, Afrika Jugore 2010 dhe tash në Brazili 2014 - derisa ka përvojë të madhe në kombëtaren e Sombrerosve me 58 paraqitje.