TREPÇA'89 2-0 RAHOVECI
‘89-shi lider, ekipi i vetëm i pamposhtur në Ligë të Parë A
7 November, 2021 @22:06
Pas dy barazimeve radhazi, Trepça’89 i është kthyer fitores sot në Riza Lushta, duke e mposhtur ekipin e ardhur nga Liga e Dytë e Kosovës Rahoveci, me rezultat 2-0.
Trepça’89 - Rahoveci 2-0 [Zeki Ademi 89, Armend Gashi 90+3].
Rezultati, përkundër se 2-0 ka qenë vështirë i arritshëm për vendasit, të cilët në saje të përkushtimit deri në minutat e fundit të ndeshjes kanë arritur që të dalin fitues në këtë përballje, pas dy barazimeve 0-0 që i kishin.
E Rahoveci në anën tjetër cilësoi “referimin skandaloz” pasi që fitorja e ‘89-shit erdhi në minutat e fundit të ndeshjes, “pas presionit në referim!” Rahoveci ka aluduar në golin e anuluar në pjesë të parë si të padrejtë. Ndërsa më pas ka qëlluar edhe shtyllën e mitrovicasve. Goli s’erdhi.
Në pjesë të dytë, vendasit para se të shënojnë golin e parë, dështojnë të realizojnë penalltinë, që e mbron portieri Besnik Shehu.
Kjo ka qenë humbja e pestë e stinorit për rahovecianët këtë stinor, ndërsa golat në fund të ndeshjes për mitrovicasit e drejtuar nga Shpëtim Idrizi i shënuan Zeki Ademi dhe Armend Gashi për t’ia sjellë fitoren e shtatë sezonale ‘89-shit.
Me këtë fitore, Trepça’89 vazhdon të kryesojë e vetme Ligën e Parë Grupi A dhe po shkon me hapa të sigurtë drejt rikthimit të menjëhershëm drejt Superligës! Mitrovicasit janë skuadra e vetme e pamposhtur në ligë.