TREPÇA '89 - BESA
‘89shi ruan distancën në krye
23 October, 2016 @15:35
Liderja e Superligës, Trepça ‘89, ka shënuar fitoren e nëntë këtë stinor duke e mposhtur Besën në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ku të pranishëm ishin rreth 3 mijë shikues, derisa nuk munguan as tifozët që udhëtuan nga Peja.
Goli i parë në ndeshje erdhi nga sulmuesi në formë i Trepçës ‘89, Otto John, i cili e kaloi skuadrën vendase në epërsi në minutën 29’.
Shtatë minuata më vonë pejanët e barazuan rezultatin me golin e Shkëlqim Pacollit, i cili shfrytëzoi në mënyrën më të mirë asistimin e Xhevdet Shabanit.
Pjesën e dytë mysafirët e filluan me lojë më ofansive, mirëpo golin megjithatë e gjeti Trepça ‘89, që kaloi në epërsi për herë të dytë me golin e Florent Hasanit nga penalltia.
Deri në fund të takimit Besa rrezikoi me anë të Leart Eminit dhe Shkëlqim Pacollit, por portieri vendas Bledar Hajdini u tregua i vëmendshëm duke mos lejuar barazimin e rezultatit.
Me këtë fitore, Trepça ‘89 ka ruajtur distancën prej 4 pikëve dallim me ndjekësin më të afërt të kreut, ndërsa Besa, e cila e shijoi humbjen e dytë sivjet, mbeti në 16 pikë.