PARA NDESHJES: BARCELONA-JUVENTUS

Foto: fcbarcelona+juventus/facebook
A do ta bëjnë edhe kundër Juventusit?
19 April, 2017 @8:21
Sonte zhvillohet përballja e madhe e Ligës së Kampionëve ndërmjet Barcelonës dhe Juventusit. Ndeshja çerekfinale, ku në duelin e parë Juventus arkëtoi epërsi 3-0, tash në Camp Nou pritet të përcaktojë kush shkon në gjysmëfinale.
A do të mund të bëj Barcelona edhe njëherë magjinë sikurse ndaj Paris St Germainit, kësaj radhe duket vështirë, por gjithmonë hapësira për të besuar ekziston.
Luis Enrique, trajner i Barcelonës para ndeshjes ka thënë se ekziston vetëm një formulë për fitore.
“Pak është e ngjajshme me lojën ndaj Parisit, ndërsa në teori kësaj radhe duhet të shënojmë më pak gola. Në vend të katër, ne duhet të shënojmë tre për të barazuar gjërat. Por, mendoj se Juventus do t’i ketë rastet e veta, kështu si objektiv yni është të shënojmë 5 gola,” ka thënë Enrique që do të largohet nga ekipi në fund të këtij stinori.
E trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, më shumë ka folur për anën mentale të ndeshjes.
“Duhet të jemi të mençur. Të dimë kur sulmojmë, kur të mbrohemi. Besoj që Barcelona nuk ka ndryshuar. Duhet të jemi të mençur. Duhet të luajmë taktikisht dhe mos të shikojmë rezultatin. Do të dalim për të fituar edhe këtë ndeshje,” ka thënë Allegri.
PIKAT KRYESORE:
-Juventus ka epërsi 3-0 nga ndeshja e parë e zhvilluar në Torino.
-Barcelona ka 15 fitore radhazi fitore në shtëpi, në garat europiane.
-Gjigandi katalonas ka kthyer deficitin prej 4-0 në të tetën e finales.
-Lionel Messi ka shënuar 498 gola në karrierë për Barcelonën.
-Barcelona ka mposhtur Juventusin në finalen e Ligës së Kampionëve, 3-1, në Berlin 2015.
FORMACIONET E MUNDSHME:
Barcelona: Ter Stegen; Mascherano, Piqué, Umtiti; Rakitić, Busquets, Iniesta, Sergi Roberto; Messi, Luis Suárez, Neymar.
Juventus: Buffon; Dani Alves, Bonucci, Chiellini, Alex Sandro; Pjanić, Khedira; Cuadrado, Dybala, Mandžukić; Higuaín.
BASTORET:
Fitorja e Barcelonës është kuotuar 1.57 sonte, barazimi 4.75, ndërsa fitorja e Juventusit 5.5.