SUHAREKA VAZHDON MOBILIZIMIN PËR ELITË
Alden Skrijelj nga Fushë Kosova kalon te Suhareka
7 June, 2024 @11:51
Mesfushori i krahut, që tregoi paraqitje të mira te Fushë Kosova përgjatë pjesës së dytë të stinorit 2023/24 Alden Skrijelj, është lojtari më i ri i ekipit debutues në Superligë - FC Suhareka.
Njoftimin e ka bërë të ditur dje klubi suharekas, ndërsa me futbollistin e lindur në Podgoricë kanë nënshkruar kontratë 2-vjeçare. Skrijelj, që është mbiemër rrjedhës nga shqipja, Shkreli, ka regjistruar 16 paraqitje në Superligë me Fushë Kosovën, ndërsa ka shënuar dy gola dhe një asistim me ekipin e tij përgjatë stinorit të lënë pas.
“Skrijelj edicionin e fundit ishte pjesë e superligës së Kosovës me skuadrën e Fushë Kosovës ku pati paraqitje të shkëlqyeshme që bindi kryesinë tonë për të nënshkruar me të, në të kaluarën ka mbrojtur ngjyrat e skuadrave si: FK Drezga, Mladost DG, FK Jezero etj.” - ka shkruar njoftimi i FC Suhareka ndër të tjera.
Fushë Kosova ka rënë nga Superliga, por Skrijelj mbetet në elitë pasi që nënshkroi me Suharekën. Këta të fundit kanë nisur me kohë mobilizimin për Superligë, pasi që pos trajnerit Shpëtim Duro të emëruar kanë siguruar edhe shërbimet e Lorik Boshnjakut ditë më parë. Skrijelj (23 vjeç) përndryshe është bërë edhe lojtari i vetëm i Fushë Kosovës përgjatë stinorit 2023/24 që ka arritur të fitojë çmimin e Yllit të javës nga FFK-ja, çmim të cilin Federata e jep për lojtarin më të mirë të xhiros qe dy stinorë.