KOSOVA - ANGLIA
Anglia ‘klinike’, humbja e parë në “Fadil Vokrri”
17 November, 2019 @19:52
Pas një fundjave fantastike, në të cilën i mikpritëm anglezët në mënyrën më të mirë të mundshme në Kosovë, në ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A kualifikues drejt EURO2020, Kosova u mposht me rezultat 0-4 nga Anglia, për ta mbyllur kështu grupin në vendin e tretë. pas Anglisë dhe Çekisë, të cilat janë përfaqësueset që e kanë siguruar biletën për Evropian nga ky grup.
Përndryshe, kjo ishte humbja e parë e Kosovës në “Fadil Vokrri”:
Një nga rastet e para të ndeshjes u paraqitën për Nuhiun, gjuajtja e të cilit me kokë u prit nga portieri Pope (7’), ndërsa përveç gjuajtjes së Nuhiut, Kosova në pjesën e parë tentoi edhe me një gjuajtje qendrore të Rashicës (24’) dhe dy të tjera të Dresheviç e Celinës, të cilat përfunduan mbi portë.
Sa i përket Anglisë, mysafirët fillimisht rrezikuan me një gjuajtje të Sterling (15’), e cila u prit nga Aro Muriç, ndërsa në rastin e ardhshëm serioz, ishte Harry Winks (32’) ai që shënoi për 0-1. I shërbyer nga Oxlade-Chamberlain, mesfushori i Spurs e shfrytëzoi një ‘rënie nga loja’ të fazës defansive të Kosovës, për t’u futur në zonë dhe për të shënuar për 0-1. Ky ishte goli i parë i Winks me fanellën e Kombëtares së Anglisë në nivelin senior.
TABELAT E GRUPEVE KUALIFIKUESE
Në pjesën e dytë, Kosova u ringjall me inkuadrimin e Besar Halimit në lojë, duke qenë pak më konkrete në kundërsulme, mirëpo jo aq efektive për ta gjetur golin. Në anën tjetër, Anglia fillimisht rrezikoi me një shtyllë të goditur nga Harry Kane (61’), e më vonë arriti të shënojë edhe tre gola të tjerë. Pikërisht Harry Kane shënoi (79’) pas një topi të larguar jo edhe aq mirë nga Aliti, derisa ishin Rashford, i inkuadruar nga banka rezervë, me një gjuajtje precize (83’) dhe Mason Mount në minutën e 90+1’ ata që shënuan për rezultatin përfundimtar 0-4.
Në vijim, sfidën e ardhshme serioze Kosova e ka më 26 mars 2020 si mysafire e Maqedonisë në gjysmëfinalen e Play Off-it të Ligës së Kombeve (Liga D), ndërsa nëse ai takim fitohet, Kosova më pas luan në finale ndaj fituesit të duelit Gjeorgji - Bjellorusi. Fituesi i finales siguron biletën për Kampionatin Evropian.