UEFA NJOFTON FFK-në
Anti-trukim: 5 kompani monitorojnë dy ligat e Kosovës, Kupën dhe reprezentacionin
11 February, 2019 @23:21
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka kuptuar sot nga UEFA-ja se Superliga e Kosovës dhe Liga e Parë, Kupa e Kosovës, bashkë me reprezentacionin e Kosovës po monitorohen nga afër.
“Pesë kompani janë angazhuar nga UEFA-ja për t’i monitoruar parregullësitë eventuale që të evidentohen nga organet përkatëse,” është thënë në njoftimin e FFK-së botuar sot.
Nicholas Raudenski, Graham Peaker dhe Massimiliano Michenzi kanë qenë zyrtarët që kanë pritur një delegacion të përzier të FFK-së, udhëhequr nga zëvendësi sekretari i përgjithshëm Arianit Ahmeti, që është edhe drejtor i zyres ligjore.
“Zyrtarët e UEFA-së kanë dhënë këshilla për delegacionin e FFK-së lidhur me paralajmërimet rreth trukimit të ndeshjeve dhe dukurive tjera negative në futboll,” është theksuar në njoftim.
Kompanitë monituruese, emrat e të cilave nuk janë bërë të ditura nga njoftimi i FFK-së, kanë për detyrë skenimin e të gjitha ndeshjeve të Superligës, Ligës së Parë, Kupës së Kosovës dhe ndeshjet e reprezentacionit të Kosovës.