UEFA

REUTERS
Aprovohet Liga e Kombeve
27 March, 2014 @14:23
Edhepse formati përfundimtar ende nuk është finalizuar, katër vende për EURO 2020 pritet të përcaktohen nga gara e re e futbollit europian të shteteve.
“Njëzetë skuadra do të kalojnë kualifikimet për EURO 2020 - që do të luhen në 13 qytete të ndryshme europiane,” i ka thënë sekretari gjeneral i UEFA-së, Gianni Infantino delegatëve nga 54 shtetet anëtare të UEFA-së në Kongresin e sotëm të mbajtur në Kazakistan.
Ngjarja e re e futbollit u aprovua unanimisht nga të gjithë anëtarët pjesëmarrës, faktikisht nga çdo shtet anëtar i UEFA-së.
“Kështu katër vende tjera do të mund të kualifikohen nga Liga e Kombeve, ata që nuk janë kualifikuar nga eliminatoret e rregullta,” ka shtuar Infatino, transmeton sot Eurosporti.
Miqësoret jointeresante
Liga e Kombeve do të zëvendësojë miqësoret ndërkombëtare, së cilave i ka rënë popullaritet shumë, posaçërisht vendeve mesatare dhe atyre të poshtme në kontinentin europian.
“Ky është një hap i madh për përfaqësueset europiane të futbollit dhe shpresojmë që tifozët të na përkrahin,” ka thënë Wolfgang Niersbach, drejtues i Komisionit të Garave të Ligës së Kombeve.
Tre vite studim
UEFA ka studiar për tre vite propozimet e ndryshme për garat e reja dhe pak a shumë i ka rënë në fije, derisa shumica pajtohen me këtë format të garave.
54 anëtarët e UEFA-së do të ndahen në katër grupe të gjëra sipas koeficientit, ku shtetet do të luftojnë që të bëhen kampionë të Ligës së Kombeve, të kalojnë një grup më lartë ose të mbijetojnë në grupin ekzistues.
Ndarja dhe kualifikimi
Para EURO 2020, çdonjëra nga katër grupet e gjëra do të ndahet në tre-katër grupe më të vogla - ku çdo përfaqësuese do të luaj 4-6 ndeshje në mes të shtatorit dhe nëntorit 2018.
Final Four, ku marrin pjesë fituesit e Grupit A, përfaqësueset më të forta, do të fillojnë në vitin 2019, derisa Play-Offi për EURO 2020 do të mbahet në mars.
“Koncept interesant. Pas ekspanzionit në Kampionat Europian prej 16 në 24 ekipe pjesëmarrëse, kualifikimet nuk kanë aq intenzitet sa do të duhej dhe kjo garë do të ishte mëlmesë e duhur dhe e nevojshme për përfaqësueset,” ka thënë Alex Horne, anëtar i këtij Komisioni dhe sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Anglisë.