NË SKENDERAJ
Arifaj shkëlqen, Drenica mposht Lirinë
20 August, 2016 @17:29
Sulmuesi i Drenicës, Granit Arifaj, është treguar i jashtëzakonshëm sot në përballjen e parë të stinorit për ekipin e tij.
Ai ka shfrytëzuar dy gabime të mbrojtjes së Lirisë në pjesë të parë për të shënuar brenda 5 minutave dy herë.
Golin e parë e ka shënuar me volej, kur mbrojtësit e Lirisë nuk arritën ta largojnë një top që kishin në pronësi, ndërsa të dytin, Arifaj e priti i vetëm në 5 metërsh të Lirisë, kur e realizoi krosimin drejt tij me kokë, për 2-0.
Liria përgjatë minutave të mbetura të pjesës së parë nuk ka arritur të këndellet, e as që ka treguar diçka të rrezikshme për portën e drenicakëve, të cilët nisin stinorin me 3 pikë.
Prizrenasit nuk shënuan as penalltinë në pjesë të dytë, kur Blendi Memaj pa penalltinë e tij të mbrojtur nga Burim Sadiku në minutën e 75-të të ndeshjes. Ndërsa krejt në fund, Liridon Fetahaj shënoi golin e nderit për prizrenasit.
Në xhiron e radhës, Drenica udhëton drejt Hajvalisë, ndërsa Liria pret Prishtinën në Prizren.