Armend Thaqi nis stërvitjet me Clujin
11 June, 2024 @10:58
Vetëm një ditë pas zyrtarizimit të Armend Thaqit si lojtar i ri i tyre, Cluj ka bërë të ditur sot se kanë nisur stërvitjet e ekipit për tu përgatitur për stinorin e ri si në gara evropiane ashtu edhe në elitën e futbollit rumun.
E futbollisti i deridjeshëm i Ballkanit, Armend Thaqi, është parë duke stërvitur në fotografitë dhe videot e botuara të Clujit, pas transferimit në ekipin rumun, ku në njoftimin për te klubi në fjalë ka treguar që ai ka përvojë që i nevojitet ekipit.
“Jemi të gëzuar që Armend Thaqi është krahu ynë i djathtë i ri. Ai vjen nga Kosova, ndërsa është zhvilluar aty si futbollist. Ai është një pasues vendimtar, kurse në Cluj ka arritur nga Ballkani, ish kundërshtar yni në Ligë të Konferencës. Thaqi për ish ekipin e tij ka luajtur 172 ndeshje prej të cilave 33 në gara evropiane, duke shënuar në total 15 gola dhe 36 asistime. Ai gjithashtu ka qenë i pari nga Superliga e Kosovës që ka marrë ftesë për reprezentacionin, duke debutuar në vitin 2017. I dëshirojmë shumë suksese në “Gruia” bashkë me ekipin në stinorin e ri,” — ka shkruar njoftimi i CFR Cluj.
Thaqi 31 vjeçar i lindur në Prishtinë është 179 centimetra i gjatë, ndërsa tërë karrierën e ka kaluar deri tash në Kosovë, ndërsa ka qenë ndër të paktit lojtarë në Superligë që ka pasur vazhdueshmëri të formës së shkëlqyeshme me stinorë radhazi.