FSHESË TE KRYEQYTETASIT!
Pastrim te Prishtina! Largohen 2 trajnerë e 7 lojtarë!
11 June, 2024 @11:28
Përgjatë dy ditëve të fundit dhe pas prezantimit të trajnerit të ri të ekipit, Prishtina ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me dy trajnerë ndihmës të ekipit si dhe me shtatë lojtarë të ekipit.
Bardhekaltërit si duket janë duke punuar për të krijuar një skuadër krejtësisht të re, ndërsa pas ardhjes së Jean-Michel Cavallit në klub, ekipi ka ndarë rrugët me trajnerët Agim Maliqi (ndihmës i ekipit të parë dhe trajner i U19) dhe Ardian Sallahu (ndihmës trajner).
Pos trajnerëve të përmendur, ekipi bardhekaltër nuk do të llogarit në sezonin e ardhshëm as te Hasan Hyseni (sulmues), Kushtrim Gashi (mesfushor), Egzon Sinani (qendërmbrojtës), Genc Hamiti (mesufshor), Kreshnik Uka (sulmues), Muhamed Useini (qendërmbrojtës) si dhe te kapiteni i fundit i ekipit që luajti 6 stinorë në periudha të ndryshme, Mërgim Pefqeli.
Prishtinën do ta pret një verë e nxehtë sa i përket krijimit të ekipit të ri dhe transfereve që do të duhej të ndodhnin, ndërsa siç tha edhe Cavalli, ekipi do të duhet të sigurojë gara evropiane përgjatë stinorit 2024/25 nga Superliga, që lë të kuptohet se kryeqytetasit dhe rekord-kampionët e Kosovës do të kërkojnë minimalisht TOP-3shen e Superligës.