KOLUMNE
Arsene Wenger – hero apo horr?
Shkruan: Luan MORINA
25 December, 2016 @17:27
Në futbollin modern, sidomos tash në epokën e rrjeteve sociale që i mundësojnë secilit të shkruaj çmos (përfshi edhe mua), zor është të mbash një punë të njëjtë për dy dekade. Veçanërisht nëse nuk sjell rezultate të kënaqshme vazhdimisht. Kjo po i ndodh Arsene Wenger!
Pas çdo humbjeje, ose serie negative, dalin disa ‘gooners’ që kërkojnë largimin e tij! Kjo mund të jetë nga mllefi i lojërave jashtëzakonisht të dobëta në seri ose nga kursimet në blerje. Derisa nuk mund të mohojmë etjen e këtij grupi tifozësh, gjithashtu nuk mund të mohojmë gjithçka tjetër që ka ndodh me Arsenal, e po ndodh akoma gjatë këtyre viteve.
RRUGA E ARSENALIT
Premier League është gara më konkurruese në botë. Kudo mund t’i gjesh 2-3 favoritë që pritet të fitojnë titullin (pos ndoshta në MLB e NHL), por në Premier League ke një gjashtëshe që gjithnjë rrokulliset andej kah kreu. Katërshja është më e rëndësishmja për shkak të kualifikimit në Ligën e Kampionëve që sjell jo më shumë se pozita e 15të në Premier League, por tekefundit janë para shtesë dhe së paku 3-4 lojë me stadium të mbushur. Për të mbetur në këtë katërshe është zor po aq sa të fitosh titullin.
Në dekadën e fundit Arsenali vazhdimisht ka gjetur rrugën për të përfunduar në këtë katërshe. Këtë e ka arritur para ekipeve të Manchesterit, Chelseat, e Liverpoolit. Të katra këto kanë shpenzuar më shumë se Arsenali (Manchesterat të dy, dyfishin e Arsenalit) në pesë vitet e fundit. Asnjëra nga këto nuk ka pasur borxhe për të larë në ndërtimin e stadiumit. Dhe, asnjëra nuk ka 20 milionë funte në total borxh, përfshirë edhe këstet e stadiumit. Liverpool ka rreth 100 milionë funte borxh, Manchester United mbi 250 milionë, ndërsa Chelsea 1.1 miliardë dollarë – krejt këto Abramovichit.
VUAJTJET FINANCIARE
E vërtetë që së paku këto dyja kanë fituar tituj në këto dhjetë vite të fundit. Por, edhe të dyjat shpesh e kanë gjetur veten larg katërshes, të fundosura kah fundi. Zakonisht janë fajësuar trajnerët për këto ngecje momentale. E vetmja gjë negative për financat e Arsenalit mund të jetë që 56% e qarkullimit vjetor shkon në paga ku vitin e kaluar rreth gjysmë milioni funtesh në javë kanë shkuar për njerëz spitali dhe të plakur – Welbeck, Rosicky, Wilshere, Flamini, Mertesacker.
E qartë që Wengeri ka qejf të eksperimentoj në fushë në lojëra të ndryshme, diçka që kundër-shpërthen me humbje apo edhe me keq me lojë të neveritshme gjumëprurëse. Por, cili trajner është i përkryer në lojën e tij? Ndërrimi i trajnerit gjithnjë vjen me kosto. Shihni si po vuan United tashmë katër vite, apo si ka vuajtur me vite Reali i Madridit, Milani, epo edhe Interi.
Megjithatë ndryshimet ndodhin, dhe një ditë edhe Wenger duhet të largohet. Por, a ka dikush më të mirë në pritje? A do t’ia vlenin 3 vite nëpër lloç e pastaj ndoshta, ndoshta ndonjë titull?!
HERO APO JO?
Një faj tjetër e kanë edhe pronarët e aksioneve tek klubi i Arsenalit. Amerikani Stan Kroenke ka shumicën e aksioneve të cilat i janë shitur duke preferuar atë para rusit Alisher Usmanov. Kroenke ka kaluar edhe limitin e aksioneve maksimale edhe pse ka ardhur në klub pas Usmanovit. Ky i fundit njihet nga fansat si njeri që dëshiron suksese, tituj, për dallim prej Kroenkes. Amerikani ka edhe pesë ekipe në ligat kryesore amerikane (pesë sporte të ndryshme përjashtuar lacrosse). Që nga titulli i fundit i Arsenalit në Premier League, vetëm një ekip nga ato pesë ka fituar titull. Të gjitha kanë bilanc pozitiv ekonomik. Pra, ashiqare paraja para titujve!
Derisa për mungesë titujsh një faj e ka edhe Wengeri, nuk është krejt faji i tij! Aq më pak meriton të njolloset për sukseset e tij gjatë kësaj periudhe! Por, dikush mund ti kujtoj fjalët e Harvey Dent – vdes si hero ose jeto mjaft gjatë për tu bërë horr! Për disa njerëz, përfshirë edhe mua Wenger akoma nuk ka kaluar në këtë fazën e fundit!
Po, për juve?